E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: Prioritetet tona për vitin tjetër

Synimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE dhe arritja në zonën e Shengenit, kurse prioriteti ynë kryesor në marrëdhëniet dypalëshe do të jetë forcimi i tyre i mëtejshëm me Rusinë, i deklaroi agjencisë serbe të lajmeve, TANJUG, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç. Ai vuri në dukje se, duke pasur parasysh kundërshtimin e Holandës që të lejojë zhbllokimin e Marrëveshjes së Përkohshme të BE-së me Serbinë, kjo e fundit do të bëjë gjithçka që ka në dorë që të arrijë konsensus me BE-në.

"Serbia do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet që të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të saj. Ne kemi përmbushur kriterin politik të bashkëpunimit të plotë me Tribunalin e Hagës, ne jemi gati për të ardhmen evropiane. Vetëm Holanda konsideron se procesi i integrimit evropian të Serbisë nuk duhet të zhbllokohet, sepse Serbia nuk bashkëpunon plotësisht me Tribunalin e Hagës. Mendoj se ky nuk është një konstatim i drejtë. Ne, me veprimet tona, gjatë tetë vjetëve të fundit, kemi treguar se e meritojmë të trajtohemi si partnerë të barabartë. Pa Beogradin nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme demokratike në Ballkan dhe Serbia është një bashkëpunëtore dhe bashkëbiseduese kyçe kur është fjala për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE", theksoi Jermiçi, dukë vënë në dukje se BE-ja nuk e lidh çështjen e anëtarësimit të Serbisë në BE me statusin e Kosovës. Sipas tij, detyra diplomatike primare e Serbisë në vitin 2009 do të jetë që në politikën e Brukselit në këtë drejtim të mos ketë ndryshime. "Nëse puna shkon deri te ndryshimet në këtë politikë dhe te vendosja e kushtëzimeve, atëherë Serbia do të gjendej në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar që, si pasojë, do të kishte krijimin e problemeve serioze në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE", vuri në dukje shefi i diplomacisë serbe.

Jeremiçi theksoi se, në të ardhmen, Serbia do të ketë marrëdhënie shumë të ngushta me Rusinë. "Mendoj se marrëdhëniet dypalëshe me Federatën Ruse do të jenë marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme që vendi ynë do të ketë gjatë dhjetëvjeçareve të ardhshme. Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në BE, kurse marrëdhëniet tona dypalëshe më të rëndësishme do të jenë ato me Federatën Ruse. Mendoj se dy keto synime nuk e përjashtojnë njeri-tjetrin", tha ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›