E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresat lajnë duart me europianin

Rusia fiton me anë të një penalltie, ndonëse skuadra e Skënder Gegës u paraqit denjësisht në këtë sfidë

Ka qenë një ndeshje që është pritur me shumë interes pasi Rusia vinte në “Niko Dovana” si kryesuese e grupit 6 eliminator me 9 pikë pas tre ndeshjesh, ndryshe nga Shqipëria që kishte 3 pikë pas po 3 ndeshjes. Për kuqezinjtë e vegjël, që pak ditë më parë kishin ndërruar edhe timonier (Skënder Gega zuri vendin e Artan Bushatit), kjo sfidë ishte etiketuar si tejet e rëndësishme dhe e fundit që mund të mbante gjallë ëndrrën për ndonjë kualifikim të mundshëm. E të paktën kështu ka qenë deri në minutën e 74-ët, kur rusët kalojnë në avantazh pas penalltisë të shndërruar në gol nga ana e Smolov. Skënder Gega kishte hedhur në fushën e lojës Frashërin, Fejzullahun, Sallajn, Peqinin, Bunjakun, Brahimin, Vucajn, Sadikun, Vajushin, Hoxhën dhe Prençin. Ndeshja nis e shpejtë për Shqipërinë, që kërkon të befasojë miqtë. Megjithatë, do të jenë rusët ata që do të kërkojnë golin, ndonëse gjuajtjet e tyre nuk do ta shenjëstrojnë dot kuadratin. Gjithë pjesa e parë do të zhvillohet në një sens, ndërsa Shqipëria nuk do të arrijë dot të kërcënojë portën e mbrojtur nga Zabolotni.

Megjithatë, në pjesën e dytë, pas ndërrimeve të Gegës (Telushi zë vendin e Bunjakut dhe Dosti vendin e Vucajt), kuqezinjtë e vegjël fillojnë të gjallërohen. Do të jenë disa goditje këndi për Shqipërinë, deri në gjuajtjen e parë të Sadikut, e cila përfundon jashtë. Në minutën e 62-të, Sadiku do të ketë një rast të mirë për të shënuar, por Zabolotni do të reagojë mrekullisht. Por në minutën e 73-të, do të vijë edhe momenti kur Kërçiku (zuri vendin e Hoxhës) do të pengojë në zonë Jakovlevin dhe për gjyqtarin Gestranius nga Finlanda është një penallti, të cilën do ta shndërrojë në gol Smolov pak sekonda më pas. Megjithatë, në shtesë Armando Sadiku do të ketë një tjetër duel me portierin Zabolotni, ku sërish dotë dalë fitues ky i fundit. Rusia shkëputet në krye të grupit me 12 pikë, duke lënë pas Poloninë me 7 pikë, Portugalinë me 4 pikë, Shqipërinë me 3 pikë dhe Moldavinë me 0 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›