Bogdani: Nuk e di në do ta përballoj edhe një edicion tjetër
Sulmuesi më i mirë i Shqipërisë, Erjon Bogdani është 35 vjeç dhe luan ende në nivele të larta në Serie A në radhët e Çezenës. Por në një moshë të tillë, të gjithë lojtarët vendosin pikëpyetje mbi karrierën e tyre, ndaj edhe “Bogu” është i paqartë nëse këmbët e tij do të jenë në gjendje që të përballojnë edhe rreth 20 ndeshje të tjera me fanellën e kombëtares. “Të them të vërtetën nuk e di nëse do ta përballoj apo jo. Por unë kam folur me presidentin e federatës pas ndeshjeve të fundit. I kam shprehur idenë time që të mos jem titullar në këtë edicion, por jam gati të ndihmoj skuadrën sa herë që nevojitet gjithmonë nëse jam mirë edhe me skuadrën time, – ka thënë Bogdani, që më pas analizon edhe largimin e veteranëve të tjerë. – Më vjen keq për të tre; Skelën, Lalën e Duron që nuk janë më në skuadër. I kanë dhënë shumë kësaj kombëtare dhe për mendimin tim është e vështirë t’i zëvendësosh që në fillim. Gjithsesi, kjo është detyra e madhe e të rinjve, zëvendësimi sa më mirë i këtyre lojtarëve të larguar. Janë tre emra që nuk do të harrohen kurrë”.