E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresat tek Ertoni

Erton Fejzullahu pati një fillim impresionues të eksperiencës në Djurgarden. Sulmuesi kosovar ka realizuar 5 gola nga 4 ndeshje në kampionatin suedez të futbollit dhe tash të gjithë i kanë shpresat tek ai. 24-vjeçari ndihet mirë që është bërë lojtar i rëndësishëm, por është i vetëdijshëm me presionin që sillet ndaj tij. Ai beson se Djurgardeni mund të kualifikohet në kupat evropiane.

Erton Fejzullahu është treguar mjaft efikas, që kur u transferua në Djuergarden. Sulmuesi kosovar është realizuar pesë gola nga katër ndeshje, duke u bërë lojtari kryesor i ekipit të ri. Tash, të gjithë presin që 24-vjeçari ta vendosë lojën.

“Ndiej se tash kam më shumë presion, presin nga unë që ta vendos lojën. Është krijuar kjo situatë për faktin se kam shënuar disa gola në ndeshjet e fundit. Lexoj komente të ndryshme se çka presin nga unë fansat”, ka thënë Fejzullahu për FotbollDirekt.se.

“Mirëpo, në të njëjtën kohë kjo më motivon. Kam më shumë presion në vetvete, por dua që ta ndihmoj skuadrën që të fitojë sa më shumë pikë. Jemi në gjendje të ngrihemi edhe më shumë në tabelë dhe mund ta kapim AIK-un”, shtoi ai.

Fejzullahu shton se ka qenë i bindur se mund të arrijë sukses në Djurgarden, pas aventurës së shkurtër që e pati në Mjallby, si huazim nga NEC Nijmegeni. “Kam përreth meje lojtarë të kualitetit të lartë. Jemi duke luajtur ndryshe në krahasim me Mjallbyn. Atje gjërat bëheshin në mënyrë individuale dhe kështu nuk mund të kesh sukses. Këtu kemi lojtarë të Kombëtares, secili e kryen punën e vet me sukses. Njëjtë veproj dhe unë”, vazhdoi ai.

Në fund, Fejzullahu thotë se synim i Djurgardenit nuk është titulli i kampionit, por pjesëmarrja në garat evropiane, sezonin e ardhshëm. “Dëshirojmë që ta kapim një pozitë që çon në kupat evropiane. Mendoj se mund të përfundojmë në pozitën e tretë”, përfundoi sulmuesi shqiptar. Fejzullahu e la ekipin holandez NEC, ku nuk kishte vend titullari, për t’u rikthyer në Suedi, në Allsvenskan, ku e kaloi pjesën më të madhe të karrierës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›