E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Flamurtari, 3 pikë dhe spektakël ndaj Tomorit

TIRANE- Flamurtari ka gjetur fi toren e parë sezonale, duke mposhtur 2-0 në Berat Tomorin. Skuadra e drejtuar nga Hulian Rubio Sançez më në fund ka treguar se është edhe ajo mes pretendenteve për titullin kampion, ndonëse emrat e marrë në merkato nga presidenti Gjika linin pak dyshime për këtë. E megjithatë u desh java e tretë që ekipi vlonjat të shijonte fitoren e parë, duke shfrytëzuar në maksimum faktin që fusha e Beratit ishte pa tifozë. Ashtu siç pritej, Flamurtari ka zhvilluar një presion asfiksues për skuadrën beratase, duke e nisur praktikisht ndeshjen në avantazh. Goli i realizuar në minutën e dytë nga Pepa i lehtësoi në maksimum gjërat për miqtë, të cilët kanë kontrolluar ndeshjen dhe nuk kanë lejuar për asnjë moment vendasit të dalin në lojën e tyre. Me këtë 3 pikësh, Flamurtari i afrohet disi kreut që mbahet nga dyshja Tirana-Skënderbeu, ndërsa skuadra ka marrë frymë lirisht pas dy zhgënjimeve në ndeshjet e para. Megjithëse shënoi vetëm dy gola, ekipi i Rubios ka goditur disa herë portën dhe Memelli ka qenë shumë herë në pozicion të volitshëm, por pa mundur të realizojë gola të tjerë. Ndërkohë, ka fituar edhe Shkumbini, që pas dy humbjesh, merr edhe ai fitoren e parë përballë Besës, duke lënë fundin e renditjes, që tashmë mbahet nga Tomori. 
NDESHJET 
Në Berat, Flamurtarit i kanë mjaftuar dy minuta për të gjetur avantazhin. Pepa gjen rrugën e golit, duke mos i lënë beratasit as të marrin frymë. Përpjekjet e vendasve kanë zgjatur vetëm disa minuta, pasi Memelli e Pepa e kanë vënë sërish në provë portierin Llani, duke rrezikuar shpesh të realizonin golin e dytë. Por, ai nuk do të vononte dhe në minutën e 40-të, Lena, ndoshta më i miri në fushë për Flamurtarin, ka mposhtur për herë të dytë portierin Llani. Ai u shërbye mjaft mirë nga Migen Memelli, duke depozituar në rrjetë për herë të dytë. Pjesa e dytë ndërkohë ka qenë e gjitha e dominuar nga Flamurtari. Lena shënoi golin e tretë, që u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa Memelli pati një rast të artë për të trefishuar në minutën e 56-të, por nuk arriti. 20 minuta para fundit, Tomori mbetet me 10 vetë, pas ndërhyrjes së rëndë të Hyskos ndaj Bratiç. Lojtari kroat i Flamurtarit ishte i fundit dhe gjyqtari Hoxha i ka nxjerrë pa shumë dyshime të kuqin futbollistit beratas. Deri në fund, loja ka qenë thuajse monotone, pasi vlonjatët nuk kanë lëshuar asgjë. Flamurtari ka marrë kështu fitoren e parë, ndërsa në fund Rubio ka pranuar se skuadra e tij u rikthye te loja e mirë pas dy zhgënjimeve me Bylisin dhe Laçin. Një tjetër arsye për t'u gëzuar ka qenë funksionimi i dyshes së sulmit, teksa Pepa e Memelli duket se e kanë gjetur me symbyllur njëri-tjetrin.
(ma.ar/Gazeta Shqiptre/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›