E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terry e Cole injorohen nga Ferdinandi

Anton Ferdinand nuk do t’ia zgjasë kurrë dorën John Terryt, pas takimit që patën së bashku të shtunën, në përballjen ndërmjet QPR-së dhe Chelseat, në barazimin pa gola në Loftus Road. Mbrojtësi anglez po ashtu e anashkaloi edhe mbrojtësin e majtë Ashley Cole, me të cilin po ashtu kishte probleme në të kaluarën.

“Anton kishte mbetur i tmerruar me sjelljen e John Terryt dhe Ashley Colet. Ai ka menduar shumë për këtë punë dhe ka vendosur që mos t’ua prekë duart. Anton nuk do t’ia zgjasë kurrë dorën Terryt”, ka thënë një burim i afërt me futbollistin për tabloidin britanik ‘The Sun’.

Kjo është hera e parë që Ferdinand dhe Terry u takuan në fushë, që kur mbrojtësit anglezë patën një zënkë në muajin korrik. Terry u gjet fajtor për përdorje të fyerjeve raciste ndaj Ferdinandit. Kurse, Cole akuzohet se e kishte pështyrë vëllanë e vogël të mbrojtësit të Manchester Unitedit, Rio Ferdinand.

Menaxheri i Chelseat, Roberto Di Matteo insiston se klubi ka bërë gjithçka është e mundur, për t’i dhënë fund armiqësisë. “Ne e bëmë punën tonë dhe nëse njerëzit ndihen ndryshe, ky nuk është një problem yni”, tha trajneri italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›