E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresë për Muamba,zemra nisë të rrahë vetë

TIRANE-Sinjale shprese për Fabris Muamba, futbollistin e Boltonit që pësoi një atak kardiak në ndeshjen e Kupës kundër Totenhemit. Pas dy ditësh ankth, mesfushori anglez me origjinë nga Kinshasa duket se ka një përmirësim të lehtë edhe pse gjendja vazhdon të mbetet kritike. Mjekët e London Chest Hospital janë duke e mbajtur nën vëzhgim të rreptë, ndërsa zyrtarët e klubit të Boltonit kanë bërë të ditur se që pas mesditës së sotme, zemra e Muamba ka nisur të rrahë vetë, pa ndihmën e aparateve mjekësore.
Shoku i tij i skuadrës Kurtis Kodrington, është shprehur gjithashtu se Muamba ka belbëzuar disa fjalë në anglisht e frengjisht, duke shtuar shpresat. E ndërkohë, në Angli duken të gjithë të bashkuar për t’i dhënë zemër mesfushorit të Boltonit. Futbollistë, trajnerë, drejtues, të gjithë i kanë uruar shërim lojtarit. Në “Reebok Stadium” tifozët kanë vendosur lule të shumta, madje edhe shalla të skuadrave të ndryshme të Premier Ligës. Presidenti i Boltonit Fil Gartsajd dhe trajneri Ouen Koil kanë qëndruar gjithë fundjavës në spital, ndërsa e fejuara e tij ka falënderuar të gjithë njerëzit për mbështetjen nëpërmjet Tuiterit. Mesazhet nuk kanë munguar as nga jashtë Anglisë. Lojtarët e Realit të Madridit zbritën në fushë ndaj Malagës me një fanelë ku shkruhej “Shërohu shpejt Muamba!”.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›