Shpronësimet për interes publik, ja procedurat shtesë
Do të aplikohet procedurë përjashtimore për shpronësimet publike në akset rrugore kombëtare edhe për zotëruesit privatë të objekteve/pasurive të paluajtshme të paregjistruara në regjistrat publikë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Enti që do të bëjë shpronësimin ka të drejtë të kryejë procedurat e shpronësimit ndaj zotëruesve të këtyre pasurive, pas plotësimit të disa kushteve. Kjo shtesë i është bërë vendimit Nr..138, “Për kriteret teknike të vlerësimit dhe përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të të drejtave të personave të tretë, për interes publik” të ndryshuar. Zotëruesit e objektit që do të përfitojnë nga shpronësimi për interes publik duhet të jenë në proces administrativ pranë ALUIZNI-t, sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Njëkohësisht ata duhet të plotësojnë kushtin se ndërtimi pa leje ose shtesa pa leje, që zotëron subjekti që shpronësohet, gëzon statuset i vetëdeklaruar e i kualifikuar më parë për leje legalizimi nga ALUIZNI, sipas të gjitha kritereve të vendimit nr.438, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, të ndryshuar dhe zotëruesit e objektit janë në proces për t’u pajisur me leje legalizimi pasi. Gjithashtu, ata duhet të disponojnë një akt të Këshillit të Ministrave, i botuar në “Fletoren zyrtare”, në zbatim të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar, që identifikon objektin e tyre dhe këtë subjekt (person fizik/ juridik) si zotërues të objektit pa leje apo shtesës pa leje në parcelën ndërtimore. Në të njëjtën kohë, subjekti zotërues i cili ka ngritur objektin në tokë të tij /shtetit duhet të mos jetë skualifikuar nga procedura e legalizimit. Vendimi i miratuar dje me këtë shtesë dikton që procedurat e sipërpërmendura të shpronësimit quhen të kryera nga çasti kur zotëruesi i objektit pa leje apo shtesës pa leje i nënshkruan entit që kryen shpronësimin, deklaratën sipas aneksit 1, dhe hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave. Të gjitha detyrimet ndaj personave të tjerë dhe të tretëve, në lidhje me të drejtat e pronës, zgjidhen nga zotëruesit sipas vendimit në fjalë. Vendimi citon se, përjashtimisht, në zbatim të detyrimeve sipas këtij akti, ALUIZNI Qendror, për të gjitha dosjet e subjekteve vetëdeklarues, të kualifikuar, arkivon me shënim të veçantë dosjen dhe pezullon çdo veprim administrativ të mëtejshëm, me marrjen e urdhërimit për pezullim nga ministria e linjës. Këto dosje të ALUIZNI-t arkivohen si praktika të veçanta pas dërgimit nga MPPT-ja të listës së pasurive dhe numrit rendor të subjektit në vendimet respektive të Këshillit të Ministrave dhe janë subjekt depozitimi në Arkivën e Shtetit. Kriteret e sipërpërmendura sipas vendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, zbatohen edhe për kërkesat për shpronësim të cilat janë publikuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Për këto raste, struktura përgjegjëse që merret me procedurën e shpronësimit autorizohet të përfundojë procedurën, për këtë kategori objektesh, brenda 30 ditëve.