E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria miraton koeficientët e rinj për llogaritjen e pensioneve nga janari 2011

SHKRUAN: Sabina Veizaj 04-08-2011 17:33

Qeveria përcakton koeficientët e rinj për indeksimin e pensioneve dhe efektet financiare, që rrjedhin nga ky vendim. Vendimi prek pensionet që nisin nga 1.1.2011 dhe përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Vendimi u mor dje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave. Duke pasur parasysh koeficientin e llogaritur, sipas vendimit, për të gjithë personat që kanë dalë dhe do të dalin në pension nga 1.1.2011 e në vazhdim, pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet nga 1.1.1994 dhe deri në momentin e shkëputjes nga puna, si dhe pagat referuese që i përkasin periudhës së sigurimit para datës 1.1.1994, do të rivlerësohen radhazi, duke u shumëzuar edhe me koeficientin e vitit 2011. Ekspertët e Sigurimeve Shoqërore argumentojnë në fakt, se koeficienti i indeksit e rrit masën e pensionit, sepse merr në konsideratë si pagën e dhënë nga shteti, ashtu dhe masën e derdhjes së kontributeve. Sipas Vendimit të miratuar dje, qeveria, ka shfuqizuar Vendimin nr.850, datë 21.10.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve“, duke përcaktuar koeficientët e rinj. Për ekspertët, ky është një ndryshim pozitiv, pasi përcaktohet qartë edhe masa e pensionit që do të marrë një pensionist dhe ai që pret të dalë në pension. Dy vjet më parë përshembull ka qenë një shtesë prej 4% dhe indeksi ka qenë 4%, me këtë 4% rimbursohen të gjithë ata që kanë dalë në pension që nga viti 1994. Masa fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet të gjithë personave të siguruar caktohet çdo vit me VKM. Shtesa, bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Paga bruto mbi të cilën është aplikuar norma e kontributit të detyrueshëm të sigurimeve shoqërore aktualizohet e rivlerësohet me një koeficient indeksimi çdo vit, deri në momentin e plotësimit të kushteve për të përfituar një pension. Koeficienti i indeksit e rrit masën e pensionit, pasi merr në konsideratë si pagën e dhënë nga shteti, ashtu dhe masën e derdhjes së kontributeve. Masa e përfituar, pra pensioni, varet nga derdhjet e këtyre kontributeve të gjithsecilit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›