Shqetësimi i Gjermanisë për krizën europiane
Pasiguria në tregjet financiarë ndërkombëtare është shqetësuese. I këtij mendimi është ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, i cili më tej ka shtuar se ekziston frika që mund të verifikohet shumë shpejt një përkeqësim i ndjeshëm i ekonomisë botërore. “Në fakt shikojmë një lloj ftohje të zhvillimit të ekonomisë botërore” - ka nënvizuar ministri gjerman Schauble. “Frika e vërtetë është se në veçanti situata në tregjet financiare dhe borxhet e shumë shteteve që vazhdojnë të jenë shqetësuese, mund të shpien në një krizë të sektorit financiar dhe bankar, ku rreziqet e efektit domino janë veçanërisht të forta. Për këtë është e nevojshme të vendosen me shpejtësi instrumentet suplementare që kemi», ka nënvizuar më tej ministri gjerman i Financave duke shtuar se “do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur drejt suksesit sa më shpejt”. “Gjermania kërkon të arrijë progres të mëtejshëm nëpërmjet normave europiane dhe marrëveshjeve në një kornizë globale”. Kështu është shprehur ministri i shtetit më të zhvilluar të Bashkimit Europian ndërsa në Bundestag aprovohej fondi i stabilitetit të riformuar të marrëveshjes të 21 korrikut që i hap rrugën paketës së gjashtë të ndihmës për Greqinë (flitet për 8 miliardë euro që do t’i jepen Greqisë në mesin e tetorit). Vetë vizita e Papandreut në Gjermani nënkuptonte rëndësinë e kësaj vote nga Bundestag - u gjerman. Në fakt nuk dukej si diçka e lehtë aprovimi po të mendohet se tashmë vetëm njëmbëdhjetë shtete nga shtatëmbëdhjetë të tilla kanë votuar pro, por gjithsesi vështirësitë janë ende të shumta. Ka shtete - mes tyre Estonia dhe Sllovakia - që kanë akoma pasiguri dhe po marrin ende kohë përpara se të japin pëlqimin e tyre. Situata është padyshim jo nga më të mirat për vendin fqinj të Greqisë. Vetë zyrtarët europianë kanë deklaruar publikisht se ndoshta edhe 440 miliardë eurot nuk do të jenë të mjaftueshëm për të shpëtuar Greqinë. Për momentin po ecet përpara me zgjidhje jo afatgjata por e nesërmja nuk dihet dhe ekziston shumë paqartësi. Gjithsesi edhe Finlanda duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me qeverinë greke për garancinë e një kolaterali në këmbim të mbështetjes edhe nga ky shtet europian. Por ndërkaq sipas shumë analistëve europianë tregjet janë duke pritur falimentimin e Greqisë dhe e ashtuquajtura trojka (Fondi monetar ndërkombëtar, Banka qendrore europiane dhe Komisioni europian), është duke u përpjekur për mënjanimin e saj por që ndërkohë duket se është duke luajtur një ndeshje e cila është pothuaj e pamundur të fitohet. Disa të tjerë akoma janë të mendimit se nëse do të braktisej Greqia, vendet e tjera perëndimore do të mund të akuzoheshin se nuk kishin bërë gjithçka për shpëtimin e shtetit fqinj të Greqisë. Kriza e thellë aziatike e vitit 1977 dhe ajo e Argjentinës e vitit 2001 duken më afërta se kurrë. Ndërkaq është duke u menduar edhe për post – falimentimin, ku vihet në dukje se vendet aziatike por edhe Argjentina e morën veten shumë shpejt por gjithsesi dy vitet e para kanë qenë shumë të vështirë dhe me një kosto të lartë sociale. Ndoshta shkaku kryesor duhet të kërkohet në atë që asnjë vend nuk mund të jetojë për vite e vite të tëra mbi mundësitë e veta duke shpresuar që mos të paguajë llogarinë.