2005-a dhe 2011-a
Zgjedhjet e 2005-s ishin më të mirat e të gjitha zgjedhjeve të mëparshme. Por jo më të mirat e pasardhësve. Sepse, pas riardhjes në fuqi të demokratëve, zgjedhjet erdhën gjithnjë e në progresion rritës, me kulminacion në zgjedhjet e 2011-s.
Këto të fundit janë më të mirat e të gjitha zgjedhjeve që ka parë vendi ynë, përgjatë të gjitha kohëve që mbahen mend zgjedhje në Shqipëri. Pra, janë objektivisht më të mirat, në kuptimin absolut të fjalës. Natyrisht, me këtë nuk kemi parasysh sindromën e nihilizmit të çdo suksesi të kundërshtarit politik, që gati-gati shihet si një armik.
A janë parë ndonjëherë zgjedhje me një transparencë të tillë? Fjala „transparencë“ , që u bë një refren bajat dhe hipokrit në gojën e E. Ramës, mori një konotacion talljeje, kur kryetari i “kongresmenëve” i mbyti në mënyrë të dhunshme zërat ndryshe brenda radhëve, që kontestonin ligjshmërinë e “zgjedhjes” së kryetarit të ri. Debatet vazhduan në salla të mbyllura, me grusht të hekurt, pa gazetarë, me kamera të thyera, me transparencë zero!
Një pyetje: Përse për zgjedhjet e 2005-s nuk pati asnjë kontestim nga manovratori që synonte të driblonte kryetarin historik të PS-së? Një pyetje e dytë: Ky i dyti, F. Nano, po të përdorte ato dredhi, ato manovrime, ato zhurmnaja, ato prapaskena që përdori i eturi për pushtet të pamerituar, Edvin Rama, a nuk do ta bënte thërrime këtë të fundit? Do të mjaftonin vetëm katër fjalë nga ish-kryetari: „Zgjedhjet i fitova unë“. Ose më shkurt: “M’i vodhën votat!”. “Sepse komisionerët e mi ( jo pak, por 20.000) më tradhtuan. Sepse u votua me karta identiteti false nga kaq e aq persona. Sepse ishin lënë jashtë listave zgjedhore kaq e aq veta, militantë të PS-së. Sepse, sepse, sepse…”.
Kur flitet për 70 mijë karta biometrike identiteti false (!), në vitin 2009, mund të krijohen e sajohen sa të duash sepse-ra!
Në një hipotezë të tillë (që Nano të ndiqte shabllonin Rama), nuk do të ishin të nevojshme (dhe as të mundshme), ato thirrjet qaramane, para “kongresmenëve”, të përzgjedhur kokërr më kokërr, paçka se shumica me tru të tredhur: “E kishim me hak humbjen e pushtetit! Kemi qenë një pushtet hajdutësh, të korruptuar, të trafiqeve të drogës e të mishit të bardhë, të ekonomisë mjerane, të listave të bukës...( e futja, t’ia futim! – si në ato mençuritë e “refleksioneve”, që u vetënxorën nga përdorimi nga vetë e.r.-ja!). Për atë qeverisjen e tij si ministër i Kulturës, Sporteve dhe Arsimit, me aktivitet zero dhe me artistët (pa përjashtim), të futur në grevë urie për asfiksinë artistike, mallkuesi i tetëvjeçarit 1997-2005 nuk tha asnjë fjalë. Sa i dhimbset lëkura e vet! Me të drejtë të Zotit, të tjerë mund të shtonin se Edvini i kishte nxjerrë me dajakun e policisë artistët. Dhe se dhuna e asgjësimit të grevës i kishte lënë çyrykë mjaft nga ata artistë të talentuar! Disa prej tyre kanë mbetur invalidë...
Ne të tjetër mund të shtojmë edhe diçka tjetër: se ky armik i grevave të drejta, u bë miku më me zjarrllëk i grevave absurde: i bllokadave të institucioneve, grevave në vende të ndaluara dhe rrëmujave me borderotë joshëse të F. Xibrit, të incizuara nga kamera amatore...
Asnjëri ndër adeptët e Ramës nuk i përgjigjet dot kësaj pyetjeje: a mund të mos ia lëshonte paraardhësi postin e kryetarit, Ramës, me artifice të tilla (= me dinakërí infantile dhe me marifete ordinere, si të Ramës)? A mund të thoshte: -Jo! Nuk është prekur neni 28 i statusit të PS-së! S’kam përse të jap dorëheqjen! Nëse përgjigjja (si ajo e elitarëve brenda radhëve, LMN-ja për shembull), do të ishte -Po, mund të mos ia lëshonte, me shabllone të njëjta si ato të Ramës, atëherë Rama ta harronte kryetarllëkun! Nëse përgjigjja do të ishte -Jo, u thye neni 28, (nga lakenjtë më të afërt pranë tij), atëherë pretendenti për postin e kryetarit të ri, do të dilte me instinkte uzurpatori!
Ja përse zgjedhjet e vitit 2005 do të duhej të ishin të rregullta, të pastra, të pakontestueshme, të pamanipuluara, nga kontestatori patologjik Edvin Rama! Por, amà, nga ana tjetër, të gjitha zgjedhjet e mëpastajme, pavarësisht se gjithmonë e në rritje teknologjikisht gjer në ato që mund të quhen zgjedhje të një transparence të pashembullt (të 2011-s), do të shpalleshin, - me një skemë parafabrikate të dalë boje, - pa asnjë argument të qenësishëm, të manipuluara!
Në këtë arsyetim, E. Rama jep precedentin marroq të një zvetënimi zgjedhor të ardhshëm. Sepse, édhe në rastin që forca politike e Ramës do të jetë më vonë realisht fituese, tjetri – humbësi – mund të thotë, siç kishte bërë dikur vetë manovratori Rama: - Jo, i ke vjedhur zgjedhjet!
Për t’iu larguar këtyre hamendësive sesi mund të krijohen, në përgjithësi, precedentë të padëshiruar, le të vijmë në një terren konkret e serioz: Zgjedhjet e 2011-s, me atë transparencë gjer në imtësitë, me ato kuti ku nuk hyn dot djalli në shishe sipas një shprehjeje, me katër kode dhe i pesti, sipër në kapak, që është vetëm për komoditet, që të mos rrudhet fleta e hedhur, me të gjitha ato kode sigurie për çdo kuti, në zgjedhjet e tanishme, pra, do të ishte e pamundshme çdo vjedhje vote. Vetëm në qoftë se njeriu do të kishte aftësinë që të bëhej i padukshëm, si në disa filma të fantashiencës! Por duhej të kishte edhe një veçori tjetër: që të bëhej sa një mizë (që të futej brenda kutisë) dhe të rimerrte përmasat e njeriut, kur të kishte ndryshuar fletën e votimit brenda kutisë! Pa këto sikur-e, manipulatori do të ishte i zbulueshëm. Dhe, në këtë rast, le të përmendej një emër: Filani i biri i fistëkut, u zu me presh në dorë! Përkundrazi: Njëra prej kutive u kris paksa nga një individ i krahut të majtë, në zbritjet nga kamioni. Dhe, - eureka!- u quajt kuti ku mund të vihej dora brenda, ndërsa nuk vihej dot as gishti i vogël i dorës!
Na u përsërit ajo shakaja makroskopike e G. Ruçit e 2009-s, që doli para kameras me dy fletë biometrike identifikimi në dorë, dhe bërtiti sa e kishte në grykë: Janë 70.000 karta të tilla identiteti të falsifikuara! Zotëri, duam vetëm dy, jo 70.000. Na i nxore në ekran? Na nxirr edhe emrat! Ata janë “armiq”, në konceptin tënd. Atëherë demaskoi armiqtë, me emër e mbiemër! Por jo, emrat mbaheshin sekret, nuk duhej të dilnin!
Këto janë blofe. Madje, nga më trashaniket! Siç është një blof i pështirë edhe ai “na vodhën votat!”, që mund të përdorej nga F. Nano, qysh në vitin 2005, për të mos ia lënë uzurpatorit skeptrin e kryetarit!
Me këtë xhol nën mëngë në kartat e kumarit të Edvinit, ai po loz me fatet e demokracisë. Tani, paçka se ka premtuar se ka hequr dorë nga bojkotimet dhe nga rrëmujat antidemokratike të bashkiakëve të majtë dhe të nëpunësve të tyre (edhe ata të tërhequr rrëshqanthi me paret e korrupsionit, në borderotë), megjithëse tha edhe se nuk do të sajonte më ngërçe me anë kushtëzimesh, ai vuri njëherësh dhjetë kushtëzime, që të bllokonte sërish kriteret e BE-së për plotësimin e kërkesave për statusin e kandidatit të hyrjes në këtë komunitet europian. Siç e tha dr. Berisha, do të ishte dakord pa asnjë mëdyshje, nëse pikat e Ramës do të ishin në përputhje dhe në pajtueshmëri me parimet e BE-së. Për shembull, nëse në vendet e komunitetit europian vendimet parlamentare për një problem të caktuar merren të hapura, né s’kemi përse t’i bëjmë të fshehta në raste analoge, vetëm sepse kështu i duhen interesave vetjake të një individi. Nëse kjo logjikë e thjeshtë bllokohet në parlament sipas kryeneçësisë së një njeriu, atëherë del – si pasojë, - se ky individ nuk u përshtatet klauzolave europiane! Me këtë mendësi kundëreuropiane dashka të vejë në Europë ky person, që përfaqëson opozitën shqiptare?
Kastriot Islami, sekretari për çështjet zgjedhore të PS-së, i njeh ligjet zgjedhore, të paktën 10 herë më mirë se Rama. Për të mos përmendur logjikën zgjedhore, që e ka 100 herë më të fortë se Edvini, për arsyen e thjeshtë që mund të përmblidhet në atë, që ç’thotë sot, nuk thotë nesër. Më qartësisht: - thotë të kundërtën, nesër! Pastaj kujtohet se ka bërë gabim që e ka çuar Shqipërinë përgjatë dy vjet rresht në zvarritje. Veçse kostot duhet t’i paguajë vendi ynë, amá. Ai, Edi, është gjithmonë i papërgjegjshëm. Dhe i pandëshkueshëm!
Por e majta ka edhe politikanë europianistë. K. Islami ka dalë në faqe të parë, më 27.09.2011, nën testatën e një të përditshmeje (“Standard”), me këtë titull: Sipas Kastriot Islamit nuk ka nevojë të shpiken udhërrëfyes; mjafton ai i BE-së”.
Inkoherentët e skajshëm janë edhe megalomanë të pandreqshëm. Për konsekuencë, edhe narcizë antipatikë. Bien në dashuri me fjalët e tyre dhe i japin parlamentit për shqyrtim një letër publicistike retorike dhe të zvetënuar, në vend që deputetët të merren me ligjet e parlamentit për t’iu përgjigjur kërkesave të Bashkimit Europian.