Shqetësohen edhe myslimanët
Një pyetje në formular për regjistrimin e popullsisë po i mundon komunitetet fetare në Kosovë. Pas atij protestant, edhe myslimanët janë kundër formulimit të pyetjes së dhjetë në formularin R3. “Cila është përkatësia juaj fetare?”, është pyetja me numër dhjetë në njërin nga formularët e regjistrimit të popullsisë.
Kështu, pas komunitetit protestant të Kosovës që është kundër parashtrimit në tërësi të kësaj pyetjeje, tash edhe Forumi Mysliman i Kosovës e kundërshton këtë, por vetëm nënpyetjen që ka të bëjë me opsionin e mundësisë së mosdeklarimit të fesë. Kryetari i këtij forumi, Fuad Ramiqi, tha se kjo pyetje nuk do duhej të ishte fare në formular.
“Nuk do duhej të ishte fare, por meqë është, përgjigjet do të duhej të ishin ndryshe sepse ka mundësi të manipulimit”, tha Ramiqi për Express. Ramiqit nuk është duke i pëlqyer përgjigja “preferoj të mos përgjigjem” për arsye se, sipas tij, ka mundësi të manipulimit pastaj me shifra. E meqenëse mundësia për ta hequr këtë pyetje nga formulari nuk ekziston, Forumi Mysliman i Kosovës ka zgjedhur mënyrën që t’u bëjë apel qytetarëve që të përgjigjen drejt në pyetjen e parashtruar për përkatësinë fetare.
“Forumi Mysliman i Kosovës fton të gjithë shqiptarët myslimanë në veçanti, si dhe boshnjakët, turqit, romët dhe të tjerët që e ndiejnë veten myslimanë, që në pyetësorin te Formulari R3, në pyetjen e dhjetë, medoemos të rrethojnë përgjigjen nën numrin një, atë islam, e të mos e lënë të zbrazët pa përgjigje, pasi ekziston mundësia që pastaj ajo fletë e zbrazët e pyetjes së dhjetë të keqpërdoret, duke shënuar ndonjë përgjigje tjetër në vend të islamit”, thuhet në një deklaratë të Forumit Mysliman të nënshkruar nga Fuad Ramiqi.
I kontaktuar nga Express, Ramiqi sqaron se këtë e kanë bërë jo se kanë frikë se numri i myslimanëve në Kosovë del më i vogël sesa që është, por i brengos mënyra e parashtrimit të pyetjes dhe mundësia për manipulim të realitetit. “Është tendencë që të tregohet një realitet ndryshe nga ajo që ekziston”, tha Ramiqi.
Në deklaratën publike, Forumi Mysliman fton të gjithë qytetarët e Kosovës që e ndiejnë veten - bile, bile -edhe deklarativisht myslimanë, që këtë të drejtë të garantuar të përcaktimit fetar të tyre ta shfrytëzojnë dhe të përgjigjen medoemos në pyetjen lidhur me përcaktimin fetar. Por, ky Forum përfundon se edhe po të ndodhë ndonjë rast i izoluar i keqpërdorimit apo i shtrembërimit të pyetjes së dhjetë lidhur me përcaktimin fetar, nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh, pasi botërisht dihet se në Kosovë nga numri i gjithëmbarshëm i shqiptarëve, 98 për qind i takojnë besimit islam dhe 2 për qind besimit katolik. Më tej, sipas tyre, nga numri i gjithëmbarshëm i qytetarëve të Kosovës, 93 për qind i takojnë besimit islam, 5 për qind ortodoks dhe 2 për qind besimit katolik, ndërsa numri i grupeve tjera të papërcaktuara është i papërfillshëm dhe mund të numërohet në gishta apo mund të jetë ndoshta 0, 5 për qind të popullsisë së gjithëmbarshme të Kosovës. Por, edhe protestantët janë kundër pyetjes së dhjetë në formularët e regjistrimit.
Ndryshe nga myslimanët, që bëjnë apel që qytetarët të shprehen lirshëm në lidhje me përkatësinë fetare, Kisha Protestante Ungjillore u ka bërë thirrje anëtarëve të saj që të mos përgjigjen fare, duke konsideruar se pyetja e parashtruar është në kundërshtim me Kushtetutën.
Kisha..., nëpërmjet Avokatit të Popullit, ka kërkuar që pyetja të mos bëhet fare, edhe pse janë shtypur formularët. Në pamundësi të heqjes të tërësishme të pyetjes, qytetarëve u është lënë mundësia të mos deklarohen.
Ministri vëzhgon regjistrimin
Në ditën e katërt të regjistrimit të popullsisë, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe kryeshefi ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani, kanë vizituar Graçanicën. Ata janw pritur nga kryetari i komunës, Bojan Stojanovic. Ai i ka njoftuar mysafirët se tashmë regjistruesit, kontrollorët dhe mbikëqyrësit janë duke e zhvilluar punën në terren. “Bashkërisht jemi duke biseduar me njerëzit që t’u shpjegojmë për rëndësinë e regjistrimit, që do të ndikojë për të përmirësuar jetën e secilit”, ka thënë Stojanovic.
Serbët në mëdyshje
Në Pejë, regjistruesit po hasin në bojkotim nga një numër i konsiderueshëm i serbëve.
Nënkryetari i Komunës së Pejës, Drenko Todorovic, thotë se shumë prej bashkëkombësve të tij nuk tregojnë interesim për regjistrim ose ende janë të pavendosur se çka të bëjnë. “Popullata serbe në Komunën e Pejës është ndarë në tri tabore. Ata që po i përgjigjen regjistrimit, ata që nuk duan të regjistrohen dhe ata që ende nuk kanë vendos se çka do të bëjnë”, tha Todorovic.
Mirëpo, koordinatori i Komisionit Komunal të Regjistrimit në Pejë, Reshat Nurboja, nuk pajtohet se regjistrimi po injorohet prej shumicës së banorëve serbë. “Kemi konfirmim zyrtar nga terreni se sot edhe komuniteti serb po regjistrohet, por të presim fundin e procesit dhe të shohim sa serb iu kanë përgjigjur regjistrimit”, tha ai.