E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia kërkon ndihmë nga Rusia për manastiret në Kosovë

Nga Express më 04 prill 2011 në ora 20:41

Edhe pse kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë janë thuajse të fortifikuara, madje ato me planin e Ahtisarit kanë gllabëruar edhe shumë prona private afër të cilave as nuk mund të afrohet kush, ankesat e klerit dhe politikanëve serbë nuk kanë të ndalur.

Ankesa e fundit e tyre i është drejtuar klerit të lartë ortodoks rus, gjatë kësaj fundjave që shkoi.

Të shtunën dhe të dielën në Beograd kanë qëndruar për vizitë dy zyrtarë të lartë të kishës Ortodokse Ruse të cilët kanë pasur takime edhe me zyrtarë të lartë serbë.

Përveç vizitës së kishave dhe manastireve serbe, ata kanë takuar edhe Presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.

Gjatë kësaj vizite, këta dy patriarkë, kanë marrë nga kreu i shtetit dhe kishës serbe, ankesat lidhur me gjendjen e “mjerueshme të manastireve në Kosovë”.

Madje Presidenti Tadiq që veten e cilëson si të moderuar dhe pro-evropian e që ndryshe flet në Beograd e tërësisht ndryshe në Bruksel, ka deklaruar se “manastiret në Kosovë janë në duart e ekstremistëve shqiptarë”.

Nga ana e tij, zyrtari i lartë i Kishës Ortodokse ruse, Hilarion Alfielev i ka premtuar zyrtarëve serbë se do të bëjë çdo gjë që është e mundur që këto manastire të jenë të kontrolluara dhe të drejtuara plotësisht nga Serbia dhe kishat serbe. /zhurnal/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›