Shikojnë regjistrimin në Graçanicë
Në ditën e katërt të regjistrimit të popullsisë, ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Jagxhillar dhe kryeshefi ekzekutiv i Entit te Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani kanë vizituar Graçanicën, ku janë pritur nga kryetari i komunës, Bojan Stojanoviq.
Bëhet e ditur se ministri Jagxhillar është interesuar për mbarëvajtjen e regjistrimit në komunën e Gracanicës dhe ka shprehur gatishmërinë që të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme, në mënyrë që secili individë nga të gjitha komunitetet të realizojnë të drejtën për të qenë të regjistruar.
“Një proces ku pjesëmarrja e njerëzve do të ishte e madhe dhe ku të dhënat do të ishin të sakta, do të jetë në dobi të të gjitha komuniteteve, pasi që do të ofrohet mundësia e planifikimit të saktë në aspektin demografik, social dhe ekonomik” ka thënë ministri me këtë rast.
Kurse kryetari i komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq ka njoftuar ministrin se tashmë regjistruesit, kontrollorët dhe mbikëqyrësit janë duke e zhvilluar punën në terren.
“Bashkërisht jemi duke biseduar me njerëzit që t’u shpjegojmë për rëndësinë e regjistrimit, që do të ndikojë për të përmirësuar jetën e secilit”, ka thënë Stojanoviq.
Ai ka shtuar se si kryetar komune bashkë me stafin mbështetës të tij po zhvillojnë kontakte të drejtpërdrejta në vazhdimësi me njerëzit, për të përçuar mesazhin e qartë dhe informacionin e saktë për rëndësinë e regjistrimit.
Vizita në Gracanicë është bërë në vazhdën e vizitave në terren që ministri i MAP-it dhe kryeshefi i ESK-së të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre po i bëjnë këtyre ditëve kur regjistrimi i popullsisë është në proces e sipër, për të parë nga afër ecurinë e këtij procesi.
Procesi i Regjistrimit të popullsisë i cila ka filluar me 1 prill do të vazhdojë deri më datë 15 prill. Gjatë këtyre ditëve do të bëhet regjistrimi i individëve, ekonomive familjare dhe banesave.
Kjo do të ofrojë një fotografi të gjendjes demografike dhe socio-ekonomike në Kosovë. Regjistrimi i popullsisë po bëhet në Kosovë për herë të parë pas 30 vjetësh, ndërkaq ritmi normal i regjistrimit të popullsisë në bazë të standardeve ndërkombëtare bëhet një herë në 10 vjet. /kosovapress/