Iu bë e padrejtë
Jetlira Gashit, ish-nxënëse e klasës së njëmbëdhjetë në Shkollën e Mesme Teknike “Anton Çetta” në Skenderaj, i janë shkelur të drejtat themelore të njeriut. Të paktën kështu mendon Behxhet Shala, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë.
Sipas Shalës, masat që drejtoria e shkollës ka marrë ndaj Jetlirës janë drastike dhe ajo nuk është dashur që të përjashtohet nga shkolla e aq më pak t’i kërkohet transferimi në ndonjë shkollë jashtë komunës ku ajo jeton.
“Unë deklaroj që Jetlira ka plotësisht të drejtë të shkojë në shkollë që nga dita e nesërme”, tha Shala për Express, edhe pse në Këshill atij ende nuk i ka arritur ndonjë ankesë nga familja Gashi.
Jetlira Gashi është përjashtuar nga shkolla teknike “Anton Çetta” në Skenderaj me arsyetimin se ka pasur sjellje të pahijshme ndaj një profesoreshe dhe ka bërë shumë mungesa.
Por, ky vendim, sipas Behxhet Shalës, është i padrejtë sepse ky problem do të kishte pasur mundësi të zgjidhej me mirëkuptim ndërmjet Jetlirës dhe profesoreshës me të cilën ka pasur problem. Shala thotë se ky veprim i drejtorisë së shkollës, Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe Kuvendit Komunal të Skenderajt është shkelje e të drejtave elementare të njeriut. “Ne jemi kundër atyre që marrin masa drastike dhe keqtrajtojnë të drejtat e njerëzve”, tha Shala për Express.
Ai inkurajon familjen Gashi që të ankohen në të gjitha institucionet e mundshme dhe nëse një ankesë e tyre arrin në Këshill, premton se do të ketë përkrahje të plotë.
Jetlira Gashi është përjashtuar para disa javësh nga shkolla me vendim të drejtorisë, për shkak se ka pasur një problem me profesoreshën Besa Haxhiu, që njëkohësisht ka qenë kujdestare e klasës. Procedura për problemin e Jetlirës ka shkuar edhe në Drejtorinë e Arsimit nga ku kjo e fundit e ka dërguar rastin për diskutim në Asamblenë Komunale në Skenderaj.
Asambleistët e Skenderajt nuk e kanë përkrahur kthimin e Jetlirës në shkollë. Ata përveç kësaj nuk e kanë përkrahur as kërkesën që asaj t’i mundësohet provimi i klasës dhe pajtimi me kujdestaren dhe drejtorin e shkollës. E vetmja mundësi që komunarët kanë lënë për shkollimin e Jetlirës është transferimi i saj në një shkollë tjetër jashtë komunës së Skenderajt. Por këtë e kundërshton familja Gashi. Kjo familje po e pret vendimin me shkrim të Asamblesë për t’u drejtuar në të gjitha dyert e institucioneve të vendit në mënyrë që të kërkojnë drejtësi në rastin e vajzës së tyre.
Avdullah Gashi, babai i Jetlirës, thotë për Express se sapo ta marrë vendimin me shkrim, do të ankohet në lidhje me rastin e vajzës. “Më kanë thënë se sot(e hënë) do ta japim vendimin, por as sot nuk ma dhanë. Unë jam tu e prit atë vendim dhe do të ankohem gjithkund, derisa të gjej një zgjidhje”, tha Gashi.
Ai sqaroi se do të ankohet te Avokati i Popullit, KMDLNj e nëse duhet, edhe nëpër gjykata. Avdullah Gashi shpreson se vajza e tij do të kthehet në shkollën ku ka qenë. Derisa të vazhdojë kjo, dyert e Shkollës Teknike “Anton Çetta” do të jenë të mbyllura për Jetlira Gashin
E përderisa Avdullah Gashi ende nuk është ankuar askund, zyrtarët e Ministrisë të Arsimit nuk komentojnë rastin e nxënëses nga Skenderaj, meqë nuk kanë asgjë në formë të shkruar.