Shqetësohet me BE’në
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku është e shqetësuar me qëndrimin e Bashkimit Europian karshi Kosovës.
Ajo thotë se Kosova po i kryen detyrat e veta, madje ka suksese më të mëdha sesa disa shtete të rajonit që tashmë realizojnë liberalizimin e vizave.
“Është e vërtetë, që për fat të keq, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa marrëdhënie kontraktuale me BE’në. E vërteta është se në BE, në samitet e vazhdueshme që janë mbajtur në dekadën e fundit, nga Selaniku, Zagrebi dhe ai i fundit në Sarajevë, në vazhdimësi ka përsëritur perspektivën europiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst është thënë shumë herë që edhe Kosova nuk do të përjashtohet nga kjo perspektivë”, ka thënë Çitaku në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Çitaku ka folur edhe për ndërprerjen e ndihmave nga evropianët.
“Që nga një janari i këtij viti, ne nuk përfitojmë nga masat autonome tregtare, nga të cilat Kosova ka përfituar që nga viti 2000, mirëpo kjo jo për shkak të Kosovës, por për shkak të ridefinimit të marrëdhënieve ndërmjet Këshillit dhe Komisionit Evropian tash pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ndërkohë, fatkeqësisht, qytetarët tanë mbeten të vetmit në Evropë, të cilët kanë të drejtë që pa viza të udhëtojnë në vetëm 5 shtete nga 192”, tha ajo.
Në tetor të vitit të kaluar, kur është publikuar Raporti i Progresit, komisionari për zgjerim, Stephan Fule, ka deklaruar shumë qartë që shumë shpejt do të hapet dialogu i vizave edhe me Kosovën, por siç kujton Çitaku, që nga atëherë kanë kaluar gati 7 muaj dhe ende nuk ka udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave për kosovarët.
“Ne jemi duke i kryer punët tona njëanshëm. Para dy vjetësh, Qeveria e Kosovës ka adaptuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe në këtë fazë, Kosova njëanshëm ka përmbushur shumicën e kritereve. Dhe, nëse e krahasojmë përmbushjen e standardeve që i ka shënuar Kosova në raport me vendet e rajonit në këtë pikë të procesit, mund të them se jemi shumë hapa përpara”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka treguar se po punojnë në fuqizimin e zyrave për riintegrim në nivel komunal, ndërsa kah fundi i vitit, siç ka thënë ajo, shpresohet të fillohet edhe me pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, kritere këto të cilat kërkohen nga vendet kandidate dhe pretenduese në një fazë shumë finale të procesit të liberalizimit të vizave.
“Ne nuk kemi opsion tjetër, përveç të atij të integrimit evropian dhe njëanshëm do t’i përmbushim kriteret. Duhet ta kemi të qartë që integrimi evropian nuk është sfidues vetëm për ne, por edhe për BE’në, duke pasur parasysh kontekstin politik - pesë vende të BE’së nuk e kanë pranuar ende Republikën e Kosovës dhe çdo nënshkrim i marrëveshjes duhet miratuar nga parlamentet respektive të 27 vendeve dhe një çështje e tillë në këtë pikë është sfiduese për vetë strukturat e BE’së”, ka thënë ministrja kosovare për integrime evropiane.
Në këtë intervistë, Çitaku flet edhe për bisedimet mes Kosovës e Serbisë, por nga të cilat, ajo thekson se Kosova nuk përfiton udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave.
“Dialogu me Serbinë nuk ndërlidhet me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në fund të fundit, ne kemi thënë shumë qartë se me fillimin e dialogut me Serbinë ne përmbushim një kriter evropian, e ai është bashkëpunimi rajonal. Bashkëpunimi rajonal është parakusht për çdo proces integrues dhe në këtë kontekst Kosova nuk po i bën shërbim askujt, pos vetes dhe perspektivës së saj euroatlantike”, ka thënë ajo.
Megjithëkëtë, Çitaku nuk mund të flasë për kohën se kur Qeveria e Kosovës shpreson ta marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
“Unë nuk do të doja të hyja në premtime që ndërlidhen me data, sepse nuk varet nga ne. Ajo çfarë varet nga ana jonë, tashmë është përmbushur. Neve na është kërkuar miratimi i Ligjit për riatdhesim, këtë e kemi bërë në shtator të vitit të kaluar. Është kërkuar miratimi i strategjisë për riintegrim, këtë e kemi bërë vitin e kaluar; është kërkuar alokimi i një fondi të veçantë për riintegrimin e personave të riatdhesuar, që, po ashtu, është bërë vitin e kaluar. Është kërkuar funksionalizimi i zyrave për riintegrim në nivel komunal, që, gjithashtu, është bërë vitin e kaluar dhe tashmë zyrtarët për integrim në nivel komunal e kanë kaluar fazën e tretë të trajnimit”, kujton Çitaku punët që Kosova i ka kryer për procesin e heqjes së vizave.
“Qytetarët e Kosovës për një kohë të gjatë kanë qenë të trajtuar si qytetarë të rangut të dytë edhe në strukturën e ish-Jugosllavisë dhe nuk duhet të lejojmë që të trajtohen si europianë të rangut të dytë”, ka thënë Çitaku.