E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionohet sipas UNMIK’ut

Një ditë pasi mbushi 65 vjet, arsimtarja Seniha Vokshi u pensionua. Vendimi iu dërgua nga Komuna e Prishtinës. Por kontrata e saj e punës përfundon në gusht. Me Udhëzimin administrativ që ka shfuqizuar atë të UNMIK-ut, ajo ka të drejtë të punojë deri në mbarim të kontratës. Për largim nga puna, veteranja e arsimit ka vendosur të kërkojë drejtësi. Nga Lirita Halili më 09 maj 2011 në ora 10:02

Deri muajin e kaluar, për 43 vjet me radhë, Seniha Vokshi ishte arsimtare e gjuhës shqipe në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë. Por e drejta e mbajtjes së këtij titulli i është privuar.

Jo pse ajo deshi të mos e ushtrojë më profesionin e saj, por për të vendosi dikush tjetër.

Në mars të këtij viti, Vokshi festoi ditëlindjen e 65-të. Disa ditë më vonë, asaj i erdhi një dhuratë jo shumë e këndshme nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës. Asaj iu soll vendimi për pensionim, në të cilin thuhet se i ndërpritet përfundimisht marrëdhënia e punës më 21 mars 2011.

Si arsyetim për marrjen e këtij vendimi, thuhet të jetë evidencimi në librin amzë, i cili përmban të gjitha të dhënat e të punësuarve. “Seniha Vokshi ka lindur më 20 mars 1946 dhe më 21 mars 2011 e mbush moshën 65 vjeç, me çka e ka plotësuar kushtin e paraparë për pensionim, sipas Ligjit të Punës së Republikës së Kosovës”, thuhet në arsyetimin e lëshuar nga Drejtoria e Arsimit.

Me të marrë këtë vendim, Vokshi është larguar nga puna. Por, ajo nuk është ndalur së luftuari për të drejtat e saj. Në fillim të vitit të kaluar, ajo nënshkroi një kontratë pune, e cila, pavarësisht vendimit për pensionim, vazhdon të jetë valide deri në gusht të këtij viti.

“Kontratën e kam të nënshkruar deri në fund të gushtit. E njëjta drejtori tash ma ka lëshuar vendimin që unë, pavarësisht validitetit të kontratës, duhet ta lëshoj punën”, tregon arsimtarja Vokshi për Express.

Ajo thotë se këtë nuk e bën pse nuk po pajtohet që po i afrohet moshës së pensionimit, e as pse nuk do të marrë më rrogë. “Këtë po e bëj pse çështja ime dua të bëhet e madhe, sepse njësoj ua kanë bërë edhe shumë kolegëve të tjerë”, thotë ajo.

Përveç që ka vendosur të luftojë, për shkak të një date në kontratë, Vokshi thotë se po e kërkon të drejtën e saj duke iu referuar edhe një udhëzimi administrativ të lëshuar nga Ministria e Arsimit.

“Përveç kontratës, Komuna e ka shkelur edhe Ligjin për Arsimin fillor dhe të Mesëm, në të cilin thuhet se mësimdhënësve që e arrijnë moshën e pensionit, e që janë në punë, u vazhdohet kontrata deri në përfundim të vitit shkollor”, thekson ajo.

Duke e parë se problemi i saj mund të zgjidhet edhe me ligj, Vokshi ka vendosur që të mos heshtë. Ajo i ka mbledhur të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe Udhëzimin administrativ për pensionimin e mësimdhënësve dhe është nisur drejt Komunës së Prishtinës. Aty ka kërkuar të takohet me Remzi Salihun, drejtorin e Arsimit. Por, takimi nuk ka rezultuar i frytshëm.
“Kam kërkuar nga drejtori që të punoj edhe pa pagesë, vetëm ta përfundoj vitin shkollor, e mos t’i lë nxënësit, por ai më tha prerë që ka kush të punojë në vend timin”, tregon ajo.

E revoltuar nga fjalët e këtij zyrtari komunal, Vokshi ka vendosur të bëjë ankesë në Ministrinë e Arsimit, ashtu siç i lejohet me ligj. “Ankesën e kam dërguar në Ministri, tash po pres pak derisa të merret parasysh ajo”, shpjegon kjo veterane e arsimit.

Vokshi pret një përgjigje me të cilën pastaj do t’i drejtohet gjykatës. Por, ajo thotë se kjo nuk është e vetmja padrejtësi që po i bëhet asaj dhe shumë kolegëve, të cilët tashmë kanë dalë në pension. Ajo pohon se pasi është pensionuar, Drejtoria e Arsimit që ka marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, i ka premtuar asaj edhe dy rroga.

“Më kanë thënë që pas pensionimit, do t’i marr edhe dy rroga. Por, kur kam biseduar me kolegët që janë pensionuar më herët, ata më kanë thënë se ato rroga nuk do t’i shoh kurrë”, shfryn ajo.

Remzi Salihu, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, thotë se vendimi për Vokshin është bërë pasi që Udhëzimi administrativ për pensionim të mësimdhënësve nuk ka bazë ligjore. Si i tillë, Salihu thotë se nuk mund të zbatohet. “Udhëzimi administrativ është një lëshim i MASHT-it, sepse lëshon akte ligjore pa i harmonizuar me ligjet e tjera. Në bazë të ligjit në fuqi, të gjithë të punësuarit të cilët mbushin moshën 65 vjeç, duhet të pensionohen”, u shpreh Salihu për Express.

Ai mohon t’i ketë thënë Vokshit se ajo do të marrë rrogë edhe pa punuar. Sipas tij, Ministria e Administratës Publike e ka bazën e të dhënave dhe sistemin e pagesave për të punësuarit.

“Në momentin kur personi mbush moshën për pension, largohet nga lista e pagesës. Bazuar në këtë, Drejtoria e Arsimit është e obliguar t’ua shkëpusë kontratat, ngase nuk mund t’i paguajë më tutje. Andaj, as zonja në fjalë nuk ka mundësi të marrë asnjë pagë tjetër nga data e pensionimit, sepse nuk është më në listën e pagave”, thotë ai.

Megjithatë, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës Vokshit, Komuna e Prishtinës i është referuar një rregulloreje të UNMIK-ut, e jo Udhëzimit administrativ, i cili është ndryshuar në vitin 2010. Sipas rregullores së UNMIK-ut, mësimdhënësve në Kosovë, në momentin që kanë mbushur vitet për t’u pensionuar, menjëherë u ndërpritet kontrata e punës. Kurse, me ndryshimin e kësaj rregulloreje, atyre u lejohet vazhdimi i punës deri në fund të vitit akademik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›