E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në pritje të një jave përvëluese

Sinoptikanja Tanja Porja nga shërbimi metereologjik "Meteoalb" tha se "sot, ka patur një rënie të lehtë të temperaturave, në orët e mëgjesit, si dhe erë gjatë paradites, ndërsa këto kushte atmosferike do të vazhdojnë edhe gjatë gjithë ditës së sotme".

Moti i kthjellët do të mbizotërojë në territorin shqiptar gjatë ditës së sotme, deri në pasditen e ditës së diel. Ndërsa në orët e pasdites së vonë të ditës së diel, duke iu afruar mbrëmjes, do të ketë vranësira në zonat malore, kryesisht në kufirin veri-lindor. Reshje të dobëta shiu pritet të ketë në Kukës, Bajram Curri, Pukë dhe ndoshta pak më thellë në territor.

Por, pjesa tjetër e territorit shqiptar do të mbetet nën dominimin e ajrit të nxehtë dhe motit të kthjellët. Përsa i përket temperaturave të ajrit, nëse dje temperatura maksimale ka qenë 38-39 gradë, sot ato janë  jo më shumë se 37 gradë celcius në rang vendi, ndërsa dita e djelë do të ketë rënie të mëtejshme, me temperaturë maksimale jo më shumë se 35 gradë celscius.

Ndërsa, era do të jetë e pranishme, po ashtu dhe të hënën. Në zbritjen e vlerave të temperaturave me 2-3 gradë ka ndikuar qendra e depresionit në Evropën Qendrore, deri poshtë në Ballkanin Perëndimor, e cila nuk ka mundur të arrijë në Ballkanin Jugor, ku përfshihet dhe Shqipëria. Dita e hënë do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave, që nuk do të jetë më shumë se 2 gradë, duke u ngjitur deri në 37 gradë celcius. Dita e martë dhe në vijim do të ketë rritje të vazhdueshme dhe pritet të kemi një maksimum të enjten, të premten dhe të shtunën, që mund të jetë deri në 38-39 gradë celcius.

Në pjesën më të madhe të zonës së ulët, si në qytetin e Elbasanit, Cërrikut, Beratit, Kuçovës, Gjirokastrës dhe pjesës veri-perëndimore, pritet të jenë mbi 39 gradë celcius. Moti i kthjellët do të mbizotërojë gjatë gjithë javës së ardhshme, deri të premten, në të gjithë territorin e vendit, thotë sinoptikanja Porja.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›