Shqipëri – Mali i Zi, Çuçi: Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulaj, sjell zhvillim të turizmit

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka hedhur të enjten në parlament me shumë dritë mbi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulaj për qarkullimin rrugor ndërkombëtar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
“Hapja e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar e do të japë një frymëmarrje të re dhe përfitime, jo vetëm për banorët e zonave përreth lumit Buna, por edhe një impuls alternativ për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe zhvillimin e një ekosistemi turistik më koheziv në të dy anët e kufirit” tha zoti Çuçi.
Sipas tij “do të lehtësohet lëvizja e banorëve të zonave të Nënshkodrës, pjesë përbërëse e Bashkisë së Shkodrës dhe zonave të Ulqinit nga ana e Malit të Zi, Malësisë së Krajës”.
Ministyri i brendnshëm tha se “do të shkurtohet në mënyrë të ndjeshme distanca dhe do të ulet fluksi i hyrje-daljeve në në pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Muriqan. Sot kjo distancë është 70 km dhe me investimin në infrastrukturë, me bërjen e urës së re, marrëveshje të cilën e kemi kaluar këtu në parlament, kjo distancë do të jetë vetëm 310 m” tha zoti Çuçi.
Për ministrin e brendshëm shqiptar ky projekt si dhe pika e re ndërlidhëse do të impaktojnë dhe reputacionin ndërkombëtar të turizmit në rajonin e Ballkanit. “Shqipëria është një vend ku turizmi tashmë ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe që po rritet vit pas viti dhe çdo investim në infrastrukturë që e ndihmon këtë sektor është gjithmonë më shumë se i mirëpritur” tha zoti Çuçi.
Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësojnë se ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ku aplikohet parimi “one-stop-shop”, siç do të aplikohet edhe në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulajnë, konsiderohet një nga nivelet më të larta të bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve. “Aplikimi i standardeve të vendeve të Shengen, na sjell më afër edhe familjes evropiane” tha ministri Çuçi.
Ministri brendshëm tha se “në vlerësimin tonë, gjitha pikat e kalimit kufitar në kufirin shtetëror ndërmjet Shqipërisë dhe Malin e Zi duhet të jenë të tilla, pra pika të përbashkëta të kalimit kufitar. eksperienca e deritanishme ka treguar përparësitë dhe përfitimet direkte të kryerjes së procedurave të përbashkëta të kalimit kufitar. Ne po punojmë me palën malazeze për të ndryshuar statusin edhe të pikave të tjera kufitare që kemi për t’i kthyer në pika të përbashkëta. Në interesin tonë, por edhe të malazezëve sigurisht, është gjithashtu edhe hapja e pikës tjetër të përbashkët, atë të kalimit kufitar në fshatin Zogaj”.
/ rtsh.al /