E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta italiane korri atë çka mbolli

Opozita e qendrës së majtë italiane humbi në zgjedhjet e pjesshme të 28-29 marsit katër regjione që qeveriseshin deri dje prej saj: Piemontin (kryeqendër Torino), Lacion (kryeqendër Roma), Kampanjën (kryeqendër Napoli) dhe Kalabrinë (kryeqendër Katanxaro). Duke llogaritur Lombardinë me kryeqendër Milanon dhe Veneton me kryeqendër Venecian - dy regjione historikisht të qeverisura nga qendra e djathtë ose nga Lega Nord - ndër 13 regjionet ku u votua, 7 i fitoi pakica opozitare dhe 6 koalicioni i shumicës në pushtet, i udhëhequr nga Silvio Berluskoni (il Popolo della Libertà – PdL - dhe Lega),.
7 për të majtën, 6 për të djathtën. Kush fitoi dhe kush humbi në këtë mes? Cilido që nuk është i përditësuar me zhvillimet politike të Italisë fqinje, do të gjykonte thjesht mbi numrin e regjioneve të humbura ose të fituara. Në të vërtetë, nuk është ashtu. Së pari, duhet mbajtur parasysh se në 6 regjionet e fituara prej shumicës qeverisëse, jetojnë 42 milionë banorë, nga 60 milionë që ka gjithsej Italia. Këtej, edhe pesha që mbajnë regjionet e sipërpërmendura në tërësinë e ekonomisë italiane, sidomos tri të Veriut (Piemonti, Lombardia dhe Veneto). Së dyti, e majta humbi Lacion, ku gjendet kryeqyteti, Roma, dhe Kampanjën, ku gjendet një ndër metropolet më të mëdha të Italisë, Napoli, me një milion banorë - i treti, pas Romës (mbi 2 milionë e 700 mijë) dhe Milanos (mbi një milion e 700 mijë).
Duke mbajtur parasysh sa më sipër, kuptohet vetvetiu se përfundimi i zgjedhjeve të pjesshme vendore tregoi mbështetjen e madhe politike të popullit italian për koalicionin qeverisës, në përgjithësi, dhe për kryeministrin Berluskoni, në veçanti.
Megjithatë, e majta e atjeshme, si e majta jonë, e nxitur prej qëllimeve të saj propagandistike, mundohet të mos e pranojë humbjen. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Italisë (humbësja e madhe e qendrës së majtë), Pjerr Luigji Bersani, u përpoq ta nxirrte partinë e vet “as të humbur, as të fituar”, me tautologji fjalësh dhe faktesh, duke iu referuar shifrave që tashmë u takojnë analeve të historisë. “Menduan të votonin kundër Berluskonit, - u fsheh pas gishtit Bersani për humbjen në Piemont, - votuan për Bosin” (Kryetari i Lega Nord, parti e koalicionit qeverisës, EB). E vërteta është krejtësisht ndryshe. Piemontezët, nuk mund të votonin për Mercedes Breson, ish-radikale, ish-komuniste, ish-demokrate e majtë, një politikane e tipit Spartak Ngjela ose Nard Ndoka, ndonëse jo e përmasave të xhuxhmaxhuxhëve tanë politikë. Me gjithë manipulimet e magjistraturës italiane (“partia e magjistraturës”, e quajti Berluskoni me ironi) për të bllokuar “Listën Polverini” të qendrës së djathtë, edhe banorët e Lacios nuk mund të votonin për Ema Boninon, radikale, tepër e ashpër në kritikat e saj ndaj Selisë së Shenjtë. Sipas specialistëve, Reanata Polverini, presidentja e re që zuri vendin e ish-demokratit Maraco, pas një skandali seksual të këtij të fundit, humbi të paktën 3% deri 5% të votave për shkak të mungesës së “listës”.
Politikanët demokratët të moderuar të Italisë mendojnë ndryshe nga Bersani ose Rozi Bindi (Presidente e Partisë). Valter Veltroni, i cili dha dorëheqjen si sekretar i përgjithshëm kur nuk i fitoi dot zgjedhjet në Sardenjë, në shkurt 2009, i quan të humbura zgjedhjet e fundit. Kurse, me anë të një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, 49 senatorë të qendrës së majtë mendojnë se duhet “ndërruar hapi” dhe të gjendet “rruga e drejtë për t’i shërbyer Vendit”.
E thënë troç, politika e urrejtjes, e përqendruar në personin e liderit të qendrës së djathë, Berluskoni, ishte e destinuar të dështonte, siç dështoi. Duke komentuar fitoren, përveç të tjerave, Kryeministrit i Italisë vlerësoi: “Edhe një herë, dashuria ngadhënjeu mbi smirën dhe urrejtjen”, “pozitivizmi dhe optimizmi fituan mbi pesimizmin dhe katastrofizmin”, armët politike të parapëlqyera prej të majtëve. Sipas tij, tashti e tutje, kur shumica e italianëve është shprehur politikisht në mbështetje të qeverisë aktuale, rruga e reformave është e hapur përgjatë gjysmës së dytë të legjislaturës.
Një paralele, sado që në vija të trasha për shkak të pabarazisë në përmasat e politikëbërjes të së majtës sonë, mund ta heqim lidhur me humbjen ose fitoren e zgjedhjeve në Shqipëri, ku humbësi përpiqet verbërisht t’i imponohet ngadhënjyesit. Luka Zaja (Lega Nord), ish-ministër i bujqësisë në qeverinë aktuale, me t’u konfirmuar President i Venetos, tha se Italia është një vend pak i çuditshëm, ku në çdo palë zgjedhjesh, “të gjithë fitojnë, asnjë nuk humb”. Figurë e përçudnuar e së majtës italiane është e majta jonë, e cila, përveç justifikimeve, nuk di çka kërkon me pretendimet e saj antikushtetuese.
Një ndër shkaqet e qenësishme që Edi Rama humbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009, është pa dyshim smira dhe ndjenja e urrejtjes që ai mbolli ndaj kundërshtarit politik gjatë fushatës elektorale. Përqendrimi i fushatës në sulme dhe shpifje ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij, me gjithë ndihmën e mjeteve të fuqishme të informacionit që ka në zotërim kryetari i PS-ë, rezultoi një fiasko. Populli e kuptoi, ndaj i tregoi vendin: në opozitë. Shqiptarët kanë nevojë për reforma, jo për urrejtje dhe çarje mes syresh. Mirëpo, në vend që Rama t’i ofronte elektoratit alternativa qeverisëse, shpiku një “program mijëra faqesh” që nuk e panë dot as të vetët. Shpiku edhe po aq slogane luftënxitëse për të larguar nga pushteti Berishën, sipas tij, shkaktarin e të gjitha vështirësive që, eventualisht, përjetonin, përjetojnë dhe do të përjetojnë shqiptarët, si çdo popull tjetër në botë. Duke ngulur këmbë si mushka në sloganin shterp “Hap kutitë ose largohu!”, Edi Rama nuk nxori mësime, ndonëse shumë socialistë luftuan aq sa mundën për t’i ndihmuar pa ia arritur dot qëllimit, sot e kësaj dite. I nxitur nga smira dhe etja për pushtet, ai po vazhdon me kokëfortësi rrugën e paracaktuar të humbjes, rrugën e dëmtimit të interesave imediate të vendit, me gjithë trysnitë që i vijnë së brendshmi dhe së jashtmi partisë, së brendshmi e së jashtmi Shqipërisë. A mund të jetë i besueshëm Edi Rama për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët me politikën tij frenuese ndaj reformave dhe ndaj afrimit të Vendit me Europën e qytetëruar? A mund ta ndjekë atë elektorati i majtë përkrah politikanëve luftënxitës, siç është edhe vetë, përkrah atyre që ndërrojnë parti sa herë humbin karrigen, ose përkrah politikanëve që urrejtjen dhe smirën i kanë atribute të jetë së tyre politike? Ngjelën e Ndokën, herë demokratë, herë mbretërorë, herë demokristianë, herë me emër e herë pa emër, ose Gjinushin e Milon, me parti e pa parti, por ministra e kryetarë parlamenti, tashmë nuk i beson askush, përveç ndonjë nostalgjiku komunist trutharë e në moshë të thyer, përveç ndonjë antishqiptari që i falet helenizmit a serbizimit, përveç ndonjë rrugaçi që i dëshiron trazirat për një ’97 të dytë, ashtu si ujku dëshiron mjegullën për të sulmuar kopenë.
Mirëpo, ai që mbjell erën, korr shtrëngatën. Përkundër përvojave tashmë të vërtetuara brez pas brezi, nuk mund të dalë kurrkush.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›