Shqipëri-BE, rrëfimi i protagonistëve të dialogut politik në studion e një gazetari
Gazetari Pandi Gjata, intervistuesi i 22 personazheve politikë që kanë kontribuar në procesin e integrimit europian
Dialogu politik mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian vjen këtë herë përmes publikimit të Ministrisë së Integrimit, "Dialogu Para-Anëtarësimit BE-Shqipëri", një botim i konceptuar mbi bazën e rrëfimit kronologjik të protagonistëve të këtij procesi, nga viti 1992 deri në vitin 1997.
22 intervistat e gazetarit Pandi Gjata, kryeredaktor i televizionit "Alsat", janë përmbledhur në këtë botim dygjuhësh (shqip-anglisht), i cili vendoset krahas fondit të botimeve të tjera mbi këtë proces të rëndësishëm dhe jetik për Shqipërinë.
Në një intervistë për "ATSH"-në, gazetari Pandi Gjata sqaron se 15 vitet e dialogut politik Shqipëri-BE janë rrëfyer deri më sot në forma të ndryshme dhe në periudha të caktuara, ndërsa ideja për këtë botim ka lindur në emisionin "Kontrast" të televizionit "Alsat", një format të cilin ai e drejton prej 6 vjetësh.
"Në prag të nënshkrimit të MSA-së Shqipëri-BE, në 2006-ën, unë kisha si ide të ftoja në këtë emision gjithë kontribuuesit e integrimit të Shqipërisë dhe secili të fliste për pjesën e tij", - shprehet Gjata, i cili në 22 intervista ka përcjellë eksperiencën personale të ish-negociatorëve të këtij procesi në vite, deri tek firmëtarët e MSA-së, si dhe zyrtarët e lartë të Brukselit, si Havier Solana, Doris Pak dhe Jelko Kacin.
15 vjetët e dialogut politik Shqipëri-BE përcillen në intervistë edhe nga Kryeministri Sali Berisha, i cili e paraqet këtë proces nga pozitat e Presidentit të vendit (1992-1997), si lider i opozitës deri në 2005-ën, dhe më pas si Kryeministri i vendit që firmosi MSA-në, më 12 qershor 2006.
"Të gjitha këto periudha janë shoqëruar me ngjitje dhe zbritje, ngrirje marrëdhëniesh mes Tiranës dhe Brukselit, kritika dhe rekomandime pa fund, situata këto që janë kthyer në akuza mes pozitës dhe opozitës", - shprehet gazetari Gjata.
Më 22 maj 1992, atëherë kur Shqipëria nënshkroi në Bruksel Marrëveshjen për Marrëdhënie me Komunitetin Europian (sot BE), Qeveria Shqiptare, e drejtuar nga Aleksandër Meksi (92-97) ishte shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes që atëherë quhej e Asociimit. I intervistuar nga Gjata, Kryeministri i asaj kohe tregon se shtyrja e parë e këtij procesi ndodhi me luftën në Bosnje.
Për ish-ministrin e Jashtëm, Tritan Shehu, mosfirmosja e marrëveshjes në shkurt të 1997-ës nuk ishte një e papritur, të cilën BE-ja domosdoshmërisht duhet t'ia komunikonte zyrtarisht Shqipërisë. "Kriza në vend në 1997-ën, ishte e mjaftueshme për të vetëkuptuar këtë dhe ngjarjet e atij viti sollën hapa prapa", - shprehet Gjata.
"Vetëm në prill të 1999-ës, Brukseli vendosi të rinisë punën për një marrëveshje Asociimi me Shqipërinë".
31 janari i vitit 2003 hapi raundin politik të Shqipërisë me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Zgjedhjet e përgjithshme të korrikut 2005 ishin test shumë i rëndësishëm për vendin. I intervistuar në "Kontast", Ilir Meta, ish-Kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm për disa vjet, sjell detaje interesante të komunikimit me zyrtarët europianë dhe tensionet e Tiranës zyrtare për arritjen e objektivave.
Në intervistat e tij, Gjata sjell eksperiencat personale të ish-ministrave të Jashtëm, Arta Dade, Kastriot Islami, Besnik Mustafaj dhe Lulzim Basha, si dhe detajet teknike të procesit të integrimit, të cilat janë përcjellë nga Mministrat e Integrimit, Marko Bello, Sokol Nako, Ermelinda Meksi dhe Arenca Trashani.
Ky botim sjell edhe fjalimet e ish-Presidentit Romano Prodi dhe ish-Kryeministrit Fatos Nano, të cilat, sipas Gjatës, janë "qëndrimet zyrtare të Brukselit dhe Qeverisë Shqiptare në ceremoninë zyrtare të hapjes së bisedimeve për MSA-në".
"Dialogu Para-Anëtarësimit BE-Shqipëri) është një botim i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të projektit SMEI (Forcimi i Ministrisë së Integrimit Europian) dhe intervistat e publikuara në të janë realizuar nga gazetari Pandi Gjata.