E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis faza përmbyllëse e punimeve në banesën e Kadaresë

14/06/2009  Gjirokastër

Nis së shpejti faza e dytë dhe përmbyllëse e punimeve në banesën e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare. Pas përmbylljes së prokurimeve nga dega e UNESCO-s në Venecia (Itali) është shpallur edhe firma fituese e tenderit ndërkombëtar.

“Proinvest” e arkitektit Agron Doraci do të vijojë punimet për mbylljen përfundimtare të rikonstruksionit. Rikonstruksioni, që do të përfshijë përfundimin e konstruksionit aktual në pjesën anësore, si dhe përmbylljen e të gjitha punimeve të brendshme, do të kryhet me fondin prej 16.7 milionë lekë, të përfshira brenda shumës 1.3 milionë dollarë të akorduar nga qeveria shqiptare e të administruara prej organizatës së mbrojtjes së trashëgimisë kulturore botërore - UNESKO.

“Është zyrtarizuar tashmë firma fituese e tenderit ndërkombëtar për kryerjen e punimeve në shtëpinë e shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe shumë shpejt do të nisë rikonstruksioni për t’i dhënë vlerën e duhur”, - është shprehur Rajmond Kola, drejtori i zyrës së administrimit dhe koordinimit të qytetit-muze. Sipas tij, në fillim të projektit u mendua për kthimin e saj në një qendër shumë funksionale, që do të shërbente si pikë peligrinazhi për shkrimtarë e admirues të Kadaresë nga vendi e bota. Punimet për ringritjen e banesës së Kadaresë filluan në muajin shtator të vitit 2007 me fondin prej 10 milionë lekë të reja. Gjatë fazës së parë u ngritën themelet si dhe muret e pjesës së jashtme të godinës dhe mbulesës. Përveç punimeve në këtë fazë u bënë edhe disa zbulime të rëndësishme për historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore. Një tjetër zbulim me rëndësi është një pllakë e të dhënave tipologjike për banesën, me dy mbishkrime, njëri në gjuhën turke, që daton në vitin 1677. Shtëpia e Ismail Kadaresë ndodhet në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës. Tetë vjet më parë, si pasojë e një zjarri aksidental, shtëpia u shkrumbua. Ndërsa më parë në të strehoheshin banorë të pastrehë. Banesa dykatëshe është lënë e harruar dhe e braktisur për vite të tëra, edhe pse përbënte një nga ndërtesat më me vlerë që mund të shfrytëzohej në të mirë të turizmit kulturor. Në vitin 2000 nga Bashkia e Gjirokastër u dha një fond prej 3.5 milionë lekë për ringritjen e banesës, por punimet në këtë objekt që mban statusin e monumentit të kulturës të kategorisë së dytë, nuk filluan asnjëherë.

E. Molla

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›