E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurohet shtëpia e Piktorit të Popullit Vangjush Mio

14/06/2009  Korçë - Duhet ende edhe një ditë. Më në fund shtëpia e Piktorit të Popullit Vangjush Mio do të jetë krejtësisht e restauruar. Punimet e filluara javë më parë tashmë janë në prag të përfundimit. Ky informacion është bërë i ditur për gazetën “Metropol” nga drejtori i drejtorisë rajonale për mbrojtjen e monumenteve të kulturës Theodhor Theodhori. Për herë të parë restaurimi ka përfshirë të gjitha ambientet e kësaj shtëpie, si mjediset e jashtme, ashtu dhe ato të brendshme, duke ruajtur me fanatizëm të gjitha karakteristikat që ka pasur kjo shtëpi që nga dita e parë e ndërtimit të saj. Resturatorët më të mirë u vunë në shërbim të kësaj ndërtese jo vetëm për faktin se përbën një monument kulture, por edhe sepse piktori i madh Vangjush Mio bën pjesë te personalitet më të spikatura të këtij rajoni, pa të cilin historia e Korçës në fushën e kulturës dhe të artit do të ishte e mangët.

Vangjush Mio i harruar nga pushtetarët

Në të vërtetë, piktori i Popullit Vangjush Mio nuk mund të bëjë pjesë tek ata njerëz që mund të zhyten në harresë, por në të njëjtën kohë mbetet i pamohueshëm fakti se ai ka qenë i harruar nga pushtetarët, të cilët më shumë se për çdo gjë tjetër interesohen për karrigen e tyre. Është e vështirë të thuhet se ndaj kësaj shtëpie ishte treguar ndonjë kujdes i veçantë, ashtu siç e meriton vetë piktori i madh, pasi i vetmi restaurim i kryer më parë mbetet ai i vitit 2000. Megjithatë, kur nuk kishin kaluar më shumë se disa vjet, u vu re se nga investimi i realizuar nuk kishte mbetur më asnjë shenjë. Muret kishin rrëzuar gjithë fugaturat e tyre, materiali prej druri kishte nisur të shembej, tavanet karakteristike kishin filluar të kumbisnin elementet e tyre të zbukurimit, mjediset e jashtme po degradoheshin, ndërsa për dyert dhe dritaret e saj nuk bëhej më fjalë. Edhe pse ndodhi kështu, askush nuk foli për cilësinë e restaurimit, madje gjithkush në ato vite qëndroi i heshtur, njësoj sikur të flitej për shtëpinë e një qiraxhiu. Tashmë harresës i është dhënë fund. Duhet ende edhe një ditë dhe pas kësaj gjithçka do të jetë si më parë, ashtu si në kohën kur në këtë banesë jetonte familja e nderuar Mio.

Restaurimi

Sipas drejtorit të drejtorisë rajonale për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, Theodhor Theodhori, gjithçka e realizuar deri më sot në restaurimin e shtëpisë së Vangjush Mios ka pasur si prioritet cilësinë dhe përkushtimin e restauratorëve. “Ne morëm përsipër, - tha Theodhori, - që përveç restaurimit të çatisë të restauronim edhe muret prej guri, por në të njëjtën kohë të zëvendësonim edhe materialin prej druri, që tashmë kishte filluar të humbiste vlerat e veta. Që të gjitha këto u bënë pjesë e restaurimeve. Ndërkohë projekti ynë parashikonte (dhe tashmë gjenden të kryera) zëvendësimin e dyerve dhe dritareve, pa përjashtuar as portën kryesore të kësaj ndërtesë, e cila është dhe pika e parë e prezantimit të saj, por gjithnjë duke ruajtur karakteristikat e çdo elementi. I njëjti përkushtim u tregua edhe në restaurimin e tavaneve dhe të dyshemeve, ndërsa me këtë rast ne përfshimë në projekt edhe restaurimin e ambienteve të jashtme, pa anashkaluar as shtrimin me pllaka guri të oborrit. Aktualisht kemi sjellë në gjendjen e mëparshme një pus që ndodhet ne mes të ambientit të jashtme.” Veç sa më sipër është marrë përsipër edhe realizimi i investimeve për rrethimin e kësaj godine. “Pas dy-tri ditësh gjithçka do të jetë gati dhe me këtë rast mund të them se kjo gjë është një lajm i mirë për gjithë banorët e rajonit të Korçës dhe me gjerë, pasi Piktori i Popullit Vangjush Mio bën pjesë tek ato personalitete me të cilët krenohemi të gjithë.”

Vangjush Mio

Piktori i madh Vangjush Mio, lindur më 3 mars të vitit 1891 dhe rritur në qytetin e Korçës, njihet nga të gjithë si njeriu që solli në Shqipëri artin italian të pikturës, si njeriu që hodhi mbi telajo peizazhet më të bukura të Korçës, natyrën dhe stinët e saj, të cilat mbeten pikturat më të arrira të tij dhe që edhe sot e kësaj dite befasojnë çdokënd që i sheh. Veç sa më sipër, Mio përmes penelit të tij mundi të sillte pamjet më të bukura të qyteteve më të njohura të vendit, si Korça, Pogradeci, Ohri, Tirana, Elbasani, Durrësi Berati, Vlora, Gjirokastra etj. Për të gjitha këto arsye, restaurimi i shtëpisë së tij nuk ishte vetëm detyrim i qytetarisë korçare, por edhe nderim ndaj të gjitha përpjekjeve të tij për të na dhënë bukuritë shqiptare të asaj kohe dhe shpirtin njerëzor të njeriut, të cilat mbeten vepra të pavdekshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›