Shqipëri-Hungari, 90 vjet marrëdhënie diplomatike

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje, në pritjen e organizuar nga ambasada hungareze me rastin e 90 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Hungari. Në këtë event ishin të pranishëm edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, Ministra të kabinetit qeveritar, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë dhe te ftuar te tjerë.
Në përshëndetjen e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen ndaj kombit hungarez dhe vlerësoi miqësinë e vjetër mes dy vendeve, e cila i ka rrënjët në kohërat e hershme dhe në luftërat dhe përpjekjet e përbashkëta të dy kombeve për liri, dinjitet e qytetërim.
“Marrëdhëniet tona nuk janë limituar në protokollet zyrtarë, ato vijnë nga zemrat e kombeve tona; vijnë nga aspiratat për liri dhe të luftuarit së bashku”, tha Kryeministri.