E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Itali, thellohet lufta kundër krimit

Shqipëria dhe Italia i ka intensifikuar marrëdheniet e tyre në bashkëpunimin ndaj luftimit të krimit të organizuar. Ka qenë vetë kreu i Policisë së Shtetit të Italisë, i cili ka kryer takime me zyrtare të lartë të shtetit shqiptarë 

TIRANE- Zyra ndërlidhëse e policisë italjane në Tiranë do të trasformohet në zyrën kryesore të të gjitha njësive të Ballkanit. Vendimi iu përcoll sot kryeministrit Berisha nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Italisë Antonio Manganelli, i cili u takua me Berishën në prani të ambasadorit italian në Tiranë z. Saba D’Elia dhe stafi i tij. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Italisë. Z.Manganelli tha se vlerësonte në maksimum ndihmën që jepte policia shqiptare asaj italiane në goditjen e kriminalitetit dhe krimit të organizuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, z. Antonio Manganelli, njoftoi Kryeministrin Berisha se pala italiane kishte marrë vendimin që zyra ndërlidhëse e policisë italiane në Tiranë, të transformohej në zyrën kryesore të të gjitha zyrave të rajonit të Ballkanit. Ai tha se Tirana dhe Bukureshti do të jenë në të ardhmen pikat e referencës për policinë italiane në rajonin e Evropës Juglindore.
Po ashtu, Drejtori Manganelli njoftoi Kryeministrin Berisha se pala italiane po punonte me partnerët e tjerë europianë për ngritjen e një grupi pune me oficerët e kontaktit të këtyre vendeve në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunimi midis dy policive tona duhet të kthehet në model referimi për vendet e tjera. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i kërkoi bashkëbiseduesit mbështetje për sa i përket programit të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ata ranë gjithashtu dakord që të krijohen ekipe të përbashkëta hetuese për të përballuar fenomenet kriminale. Drejtori i Përgjithshëm i policisë italjane takoi sot pasdite në Tiranë edhe kryeprokuroren Ina Rama ku u diskutua thellimi i luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, luftës kundër trafikut të makinave,si dhe procedimeve penale respektive të të dy vendeve Shqipëri dhe Itali. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe lokalizimit e ekstradimit të personave kriminalë të kërkuar nga shteti Italian. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›