Tiranë- Mashtronin të huaj përmes Call Centër, 3 në pranga, 2 në hetim dhe dy në kërkim

Zbulohet në Selitë një ambient i përshtatur si Call Center, ku mashtroheshin shtetas të huaj, përmes telefonatave, për të investuar në bursa fiktive.
Në kuadër të operacionit “Wrong call”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në këtë ambient ku kanë arrestuar 3 prej tyre (menaxheri dhe 2 punonjës), ndërsa 2 po procedohen penalisht dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestua në flagrancë shtetasi K. S., 25 vjeç;
-u arrestuan shtetasit F. K., 24 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, punonjës;
-nisi procedimi penal për shtetaset E. Sh., 22 vjeçe dhe E. Z., 19 vjeçe, punonjëse;
-u shpallën në kërkim shtetasit E. S., 34 vjeç (vëllai i K. S) dhe A. K., 35 vjeç.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një ambient në Selitë, që ishte përshtatur si call center. Në këtë ambient, janë kapur në flagrancë shtetasi K. S., i dyshuar si menaxher i kësaj veprimtarie, dhe 4 punonjës, të cilët mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga hetimet dyshohet se ambienti ishte marrë me qira nga shtetasit E. S. dhe A. K. me qëllim për ta përdorur për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Policia sekuestroi pajisje kompjuterike, celularë dhe prova të tjera material të cilat i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/