E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Kosovë, Berisha: Bashkë në BE. Rama: Saliu bëri biznes me Rrugën e Kombit

(I përditësuar)- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar mbi deklaratën e bërë sot nga kryeministrit Berisha, i cili akuzoi se opozita bëri përpjekje për bllokimin e realizimit të Rrugës së Kombit. Rama në reagimin e tij theksoi se asnjë përfaqësues i PS-së nuk ka shprehur qëndrim kundër ndërtimit të rrugës por kanë denoncuar vjedhjen që ka bërë qeveria me taksat e qytetarëve.

E kam sfiduar dhe e ri sfidoj të provojë me një dokument të vetëm që unë apo cilido nga përfaqësuesit e PS-së të jetë shprehur kundër Rrugës së Kombit si projekt. Ndërkohë, që i ri them turp, turp që me rrugën e kombit keni bërë një biznes fitimprurës duke grabitur fondet e taksapaguesve shqiptarë, u shpreh kreu i PS-së.

PS ka mbajtur sot mbledhjen e parë të Kryesisë së re, e cila u zgjodh nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare.  Kryetari socialist pas përfundimit të mbledhjes e konsideroi këtë forum të lartë vendimmarrës të PS.

Zhvilluam një mbledhje konsultative të Kryesisë së re prej së cilës jam jashtëzakonisht i kënaqur. Ishte një mbledhje e cila më krijoi bindjen në zgjedhjen e bërë nga Asambleja Kombëtare dhe në disponimin e të gjithë anëtarëve dhe anëtareve të Kryesisë së re për tu vënë në dispozicion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme, tha Rama.

*************

Shqipëri-Kosovë, Berisha: Bashkë në BE. AK: Vendosin shqiptarët, jo kryeministri!

Gjatë një takimi me studentët kosovarë, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha përgjigjur se bashkimi mes dy popujve shqiptarë duhet të bëhet në Bashkimin Evropian.

Kreu i qeverisë megjithëse tha se populli shqiptar është i ndarë në mënyrë të padrejtë shtoi se dy kombet Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen në BE. Ai përjashtoi në këtë mënyrë opsionin e ndryshimit të kufirit pasi pasi Berishës kjo është e rrezikshme.

Interesi më i mirë i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE, nuk mund të rrezikojmë humbjen e territoreve, tha Berisha.

Për këtë deklaratë të Berishës ka reaguar menjëherë Aleanca Kuqezi. Në një deklaratë për shtyp të AK-së theksohet se u takon qytetarëve të vendosin nëse duan apo jo një bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Parimi i vetëvendosjes është për popullin, jo për qeveritë”, theksohet në reagimin e AK-së.

Gjatë këtij takim, Berisha ka akuzuar opozitën dhe kreun e saj se janë bërë pjesë e lobeve antishqiptare që luftuan për të bllokuar ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

Këta individë dhe grupe mendonin se rruga e kombit do të dëmtonte portet e rajonit. Ata bënë gjithçka për ta penguar. Kjo rrugë është e kushtueshme por atyre që u bien burive se ka korrupsion prej qindra milion euro, u them se kostoja për kilometër është më pak se 10 milionë euro, tha Berisha.

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë te kreu i Partisë Socialiste, Berisha u shpreh se Rama duhet të rishqyrtojë qëndrimin e tij në lidhje me rrugën e kombit. Kreu i PS e kryesoi këtë procesion, por nuk e penguan dot. Rruga u ndërtua në trajektoren më të shkurtër. Rama ka të drejtë të rishqyrtojë qëndrimin e tij. Të gabosh është njerëzore, por të pretendosh se nuk ke qenë kundër rrugës do të thotë të jesh kundër vetvetes, tha Berisha.

* * *

Berisha: Jemi të vetmit që nuk njohim recension

Po sot, kryeministri i vendit, Sali Berisha duke folur në një forum të organizuar nga biznesi fason është shprehur se qeveria do të marrë çdo hap për ti krijuar lehtësira këtij biznesi. Berisha tha se vendi ynë është një ndër vendet më të përshtatshme në Evropë për biznes pasi ka barrën më të ulët fiskale.

Hoqëm doganën për materialet që ju importoni. Mendoj se ka qenë një masë e duhur. Sistemi fiskal i vendit është sistemi më i favorshëm se është sistemi me barrën më të vogël fiskale, u shpreh kreu i qeverisë.

Më tej ai ka thekuar se Shqipëria është ndër të paktet vende që i ka shpëtuar krizës ekonomike pasi nuk ka njohur recension. Për këtë tha Berisha dëshmi është edhe trefishimi i eksporteve në gjashtë vite.

Në zhvillimet e mëdha vendi ia ka dalë të ruaj rritjet që të mos bjerë në recension. Shqipëri është i vetmi vend që në një hark kohor 6 vite, ka trefishuar eksportet. Industria fason ka dhe ka pasur rol kryesorë, u shpreh kreu i mazhorancës.

Florenc Stafa / G. Ndoja 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›