E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendësimi i anëtarëve të gjykatave, Partia Socialiste hesht

Deputetët nuk konfirmojnë nëse do të jenë të pranishëm në votimin e tyre

Partia Socialiste nuk pranon të komentojë apo të sqarojë pozicionin e saj në lidhje me zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Duket se gjithçka mbetet peng i kohës kur mund të zgjidhet kriza politike në vend, pasi socialistët kanë kushtëzuar miratimin e çdo nisme ligjore me kërkesat e tyre për hapjen e kutive. Me propozim të Presidentit, ku Parlamenti thotë fjalën e fundit për emrat e anëtarëve të dy gjykatave më të rëndësishme në vend, pozita dhe opozita kanë pasur përplasje dhe debate të ashpra në vite, duke mos e fshehur asnjëherë dëshirën për të pasur apo ushtruar kontroll mbi këto dy institucione. Sot, në kushtet kur vendimmarrja e gjykatave është vënë në dyshim për shkak të rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, zëra të ndryshëm të politikës vënë në dukje nevojën që edhe opozita të thotë fjalën e saj. Të kontaktuar dje me telefon nga gazeta “Shqip”, një sërë deputetësh të kësaj partie nuk kanë pranuar të japin asnjë mendim, koment apo këndvështrim të ecurisë së këtij procesi. Relativisht, grupi parlamentar socialist duhet ta thotë fjalën e vet në sallën e Kuvendit, por askush nuk mund të pohojë se opozita do të jetë në Kuvend në rastin e votimit të kandidatëve për këto dy gjykata. “Nuk mund të shprehemi”, është përgjigjja e disa deputetëve socialistë, duke ia lënë në dorë në këtë mënyrë çdo vendimmarrje vetë mazhorancës në lidhje me përbërjen e dy gjykatave. Konstitucionalistë të ndryshëm kanë propozuar si një ndër rrugët që mund të zgjidhë krizën ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Por kjo është një ndër mënyrat që drejtues të ndryshëm të selisë rozë janë shprehur kundër, pasi nuk kanë pasur besim te vendimi i kësaj gjykate.
Me afrimin e afatit kohor të diskutimit të emrave që do të vijnë nga Presidenca në Kuvend, janë shtuar zërat që kërkojnë prezencën e opozitës në Parlament që të thotë fjalën e vet në lidhje me këtë proces. Sabri Godo, presidenti i nderit të Asamblesë së Partisë Republikane, është shprehur dy ditë më parë se opozita duhet të marrë pjesë në diskutimin e emrave. Sipas tij, drejtësia rëndon njësoj si për mazhorancën edhe për opozitën dhe në këto kushte vëmendja në përzgjedhje duhet të jetë maksimale. “është e nevojshme që në institucione të tilla të kemi vërtet njerëz të pavarur, të pandikuar nga politika, sepse sot është radha e një pale, nesër do të jetë e një palë tjetër”, ka vlerësuar Godo.

Pritet që brenda muajit mars të nisë diskutimi për emrat e përzgjedhur nga Presidenti për zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë për të vijuar më pas me emrat për zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenca ka njoftuar afatet kur kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e duhur, si edhe kriteret në mënyrë që të shqyrtohen nga Presidenti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›