E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëri-Kosovë, ligë mbarëkombëtare të futbollit, hapësirë unike për transmetuesit televizivë në të dy vendet”

05-01-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha zbulon hapat e parë që do të çojnë përpara realizimin e projektit “të bashkohemi njeri me tjetrin, të bashkohemi me Europën”, duke filluar nga krijimi i ligës së përbashkët të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe homogjenizimi i hapësirës së transmetimit televiziv në të dy vendet

Mbledhjen e parë të Qeverisë për vitin 2013-ë, kryeministri Sali Berisha ia ka kushtuar disa çështjeve specifike siç janë projekti i “bashkimit të shqiptarëve në Europë”, rritja ekonomike dhe transparenca e shpenzimeve qeveritare. Në këndvështrimin e kryeministrit, “të bashkohemi njeri me tjetrin, të bashkohemi me Europën”, është projekti më i mirë për të ardhmen e shkëlqyer të shqiptarëve në rajon.
Kreu i qeverisë shpalosi hapat e parë që do të çojnë përpara realizimin e këtij projekti, duke filluar nga krijimi i ligës së përbashkët të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, me përfshirjen e të gjitha ekipeve të dy vendeve.
“Këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë Liga e Futbollit mbarëkombëtar. Duhet të uleni së bashku me ministrin e Sporteve të Kosovës, të bëni projektin dhe të zhvillohet Liga mbarëkombëtare. Ne kemi një hall se kombëtare është gjysmë kombëtare, ndaj ta quajmë mbarëkombëtare. Tani edhe infrastruktura e lejon këtë. Kështu, tifozi i skuadrës së Mitrovicës mund të vijë fare lehtë ta ndjekë ndeshjen Flamurtari me Mitrovicën në Vlorë, apo Prishtina me Tiranën. Natyrisht, në Ligë do të përfshihen të gjitha ekipet shqiptare. Kjo do të bëjë që edhe sporti të njohë atë gjallëri të madhe që ka marrë jeta artistike – unë dua t’i përgëzoj artistët, sepse, në ka një gjë ku jemi bashkuar, ky është show artistik, në këngë, muzikë, balet dhe për këtë, ata kanë meritë, pasi janë në krye të përpjekjeve të shqiptarëve, madje me rezultate ndër më të shkëlqyerat, për bashkim njëri me tjetrin. E dëgjuat çfarë rroku fantastik ishte kënga e fundit e dyshes Lulgjuraj-Sejko, apo edhe këngën e Ronës në Baku. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka, sepse kjo është rruga për të shpalosur të gjitha potencialet dhe talentet në futboll, - edhe në sporte të tjera, por le ta nisim me futbollin - për të fuqizuar tregun e futbollit e për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh shqiptare të futbollit”, u shpreh kryeministri.
Njëkohësisht, një tjetër hap është dhe krijimi i hapësirës unike e valëve transmetuese, në mënyrë që mediat në Shqipëri të transmetojnë edhe në Kosovë dhe anasjelltas.
“Problemi i dytë që dua të sjell në vëmendje, është krijimi i hapësirës shqiptare, unike, të valëve, çka do të thotë se të gjitha mediat e Kosovës që dëshirojnë të operojnë në Shqipëri duhet të kenë licencë për transmetim në Shqipëri. Po ashtu Radio Televizioni Shqiptar, ashtu siç u krijon lehtësira mediave shqiptare në pika transmetimi - dhe duhet t’u krijojë - ai duhet t’u krijojë mundësi edhe të gjitha mediave të Kosovës që të vendosin repetitorët e tyre dhe ato të shihen nga Konispoli në Vermosh. Sikundër do të bisedohet me qeverinë e Kosovës që të gjitha mediat e Shqipërisë të mbulojnë hapësirën mediatike të Republikës së Kosovës. Nuk është se kjo nuk ekziston nëpërmjet Dixhitalb, por ajo është platformë me pagesë dhe ne duhet të punojmë që të ekzistojë forma pa pagesë. Duhet që mediat të shtrihen e të homogjenizohet hapësira. Duhet të kemi parasysh se pse jetojmë në pesë shtete, nuk jemi pesë kombe. Ne jemi një e vetëm një. Të mos mendojë kush kurrë se ekzistencën tonë në pesë shtete do mund ta interpretojë si për pesë kombe shqiptare. Kjo nuk mund të ndodhë. Ndaj ta fillojmë me këto dy hapa. U ndërtuan autostradat dhe ky ishte një zhvillim madhor. Tani problemi mbetet tek valët. Pasi ia presim njëri-tjetrit valët në Gjilan, që të kalojnë edhe valët kufirin, andej e këtej. Duhet të krijojmë hapësirë të plotë edhe për valët”, theksoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›