PS: Ekspertizë për ligjet me 3/5, heqja e imunitetit me ndryshim kushtetues
Hysi për heqjen e imunitetit: “Ajo që ne kemi kërkuar është që çdo lloj ndryshimi duhet bërë në përputhje me propozimet që bën Komisioni i Venecias, ç’ka kërkon ndryshime në Kushtetutë, por mesa duket, Berisha nuk është i gatshëm për të bërë këto ndryshime dhe kërkon ta bëjë me ligje të tjera”
TIRANË Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend duket se nuk do të sjellë ndonjë frymë konsensusi për ligje të rëndësishme, që kërkojnë shumicë të cilësuar, apo edhe ato që kanë kaluar më parë. Mungesa e opozitës në Kuvend ka sjellë boshllëqe të mëdha në kalimin e disa ligjeve, duke bërë që vetë ekspertë të PS-së, të propozojnë rikthimin e tyre, edhe pse juridikisht në fakt një gjë e tillë duket e pamundur. Megjithatë, opozita duket se do të bëjë oponencë të plotë për draftet që përbëjnë shumicë të cilësuar e deri tek projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”, draft, i cili paraprakisht, para vitit 2009, ka marrë edhe pëlqimin e socialistëve. Por sot, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkon që edhe ky draft, ashtu si edhe disa projektligje të tjera, të kalojnë përmes një ekspertize të thellë ku të marrin pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtarë. “Një pjesë e këtyre nismave ligjore të kthehen nëpër komisionet përkatëse pasi nuk kemi shprehur opinionin tonë. Së dyti, është shumë e rëndësishme, që për këto ligje, të merret opinioni i grupeve të interesit dhe janë ligje shumë të rëndësishme, siç është ligji për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të procedurave administrative, ka ligje për ndarje territoriale, ka ndryshime në Kodin Penal. Është shumë e rëndësishme që ne të vlerësojmë edhe me ndihmën e ekspertëve të huaj, sidomos të misioneve që veprojnë në Shqipëri”, - tha dje, Hysi. Ekspertja e PS-së sheh një rrugë tjetër ligjore edhe për heqjen e imunitetit. “Ajo që ne kemi kërkuar, është që çdo lloj ndryshimi duhet bërë në përputhje me propozimet që bën Komisioni i Venecias, ç’ka kërkon ndryshime në Kushtetutë, por mesa duket, Berisha nuk është i gatshëm për të bërë këto ndryshime dhe kërkon ta bëjë me ligje të tjera”, - tha ajo. Dihet tashmë që Partia Socialiste do të ndërmarrë një kurs të ri politik duke përfshire edhe riorganizimin e vetë grupit parlamentar dhe komisioneve të përhershme parlamentare. Deputetët socialistë, sipas komisioneve respektive, do të mblidhen për të trajtuar detyrat e tyre që dalin nga axhenda e përgjithshme, çdo ditë të premte, në praninë edhe të kryesisë së grupit parlamentar. Në këto takime do të diskutohet pikërisht realizimi i detyrave për javën që lihet pas, dhe detyrat që do i ngarkohen deputetëve të komisionit përkatës për javën e ardhëshme. Deputetët e komisioneve parlamentare, në punën e tyre, në hartimin e qëndrimeve dhe propozimeve të ndryshme, do të ndihmohen edhe nga anëtarët e komisioneve respektive të Asamblesë Kombëtare.