E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Maqedoni, bashkëpunim mes akademive

TIRANË-Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kanë nënshkruar në Ohër, një memorandum bashkëpunimi për ndërmarrjen e nismave të përbashkëta.
Kryetari i Akademisë Maqedonase të Shkencës dhe Arteve, Georgi Stardellov, e cilësoi nënshkrimin e memorandumit si një ngjarje me rëndësi të gjërë për marrëdhëniet bilaterale mes dy akademive.

Me propozim të Akademisë Maqedonase, të dy palët ranë dakord të krijojnë një komitet shkencor shqiptaro-maqedonas me numër të njëjtë anëtarësh nga të dy palët në fushën e shkencave shoqërore, gjuhësore dhe historike.
Akademia Shkencave dhe Arteve Maqedonase dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, gjithashtu ranë dakord që të ndërmarrin nisma në vijim të programeve të tyre për vitin 2012.

Në Akademinë Maqedonase të organizohen Ditët e Shkencës dhe Artit Shqiptar dhe në Akademinë Shqiptare Ditët e Shkencës dhe Artit Maqedonas.
Duke pasur parasysh rëndësinë e Këshillit Ndërakademik të Evropës Jug-lindore, të dy akademitë do të vazhdojnë të punojnë rreth idesë së krijimit të një Shoqate të Akademive të Ballkanit, si një mundësi e rëndësishme bashkëpunimi.
Memorandumi i firmosur nga kryetari i Akademisë shqiptare, Gudar Beqiraj dhe Kryetari i Akademisë Maqedonase të Shkencës dhe Arteve, Georgi Stardellov, do të hyjë në fuqi pas plotësimit dhe miratimit të tij nga organet e të dy akademive.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›