Shqipëri-Moldavi, marrëveshje në fushën e shëndetësisë

Tiranë, 13 Nëntor, 14:14, NOA - Shqipëria dhe Moldavia kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, ka zhvilluar një vizitë në Moldavi. Bashkëpunimi dypalësh shtrihet në përmirësimin e kujdesit shëndetësor, zbatimin e metodave të reja diagnostikuese dhe mjekuese në fushën e higjeno- epidemiologjisë, sëmundjeve ngjitëse, e shumë të tjera.
Ky bashkëpunim, do të realizohet nëpërmjet shkëmbimit të informacionit të ndërsjellë, kontakteve mes palëve, pjesëmarrjen e dyanshme të ekspertëve në kongrese apo takime, si edhe lidhjen e marrëveshjeve direkt me institucionet shëndetësore në drejtim të pajisjeve mjekësore, farmaceutike dhe trajnimeve të ndryshme. Gjatë qëndrimit në Moldavi, zv/ministrja Sinoimeri mori pjesë dhe në takimin e Ministrave të Shëndetësisë të vendeve Jug-Lindore.
Në fund të takimit u adaptua Deklarata e Ministrave të Shëndetësisë të vendeve të Evropës Juglindore Arritjet dhe sfidat për forcimin e performancës së sistemit shëndetësor në këndvështrimin e pabarazisë në shërbimet shëndetësore në Evropën Juglindore.
c.a/NOA