Shqipëri-Rumani, aleanca që garanton mbështetjen në BE

Ambasadori shqiptar në Rumani, Sami Shiba
Festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, edhe në Rumani.
Ambasadori Sami Shima në median rumune: Marrëdhënie të shkëlqyera, që do t’i thellojmë.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Rumani, z. Sami Shiba, ka përcjellë në mediat rumune marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, duke kujtuar përpos bashkëpunimeve aktuale, mbështetjen historike që Bukureshti i dha Kryeministrit të parë shqiptar 100 vite më parë, Ismail Qemalit.
Ambasadori do të organizojë në Bukuresht, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, javën e kulturës shqiptare në bashkëpunim me autoritetet e këtij vendi. Në një intervistë për revistën “Ballkani dhe Europa”, ambasadori ka theksuar se Rumania është një partner i rëndësishëm në rrugën e vendit tonë drejt integrimit në BE, si dhe ka kujtuar se Shqipëria mbetet promovuese e integrimit rajonal, përmes krijimit të një infrastrukture rajonale të përbashkët, heqjes së barrierave kufitare dhe sigurimit të lëvizjes së lirë të personave, mallrave e kapitalit. Z. Shiba ka mbështetur edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, si pjesë të integrimeve që duhet të ndodhin në rajon. Intervista vijon si mposhtë…
Cilat janë objektivat kryesorë të zhvillimit të Shqipërisë për këtë vit?
Së pari, do doja të theksoja se viti 2012 shënon 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje e rëndësishme historike që do të festohet gjerësisht nga kombi shqiptar. Ne u jemi mirënjohës popujve dhe kombeve, ku Rumania zë një vend të veçantë, që mbështetën dhe përkrahën përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Për këtë qëllim, me rastin e 100-vjetorit, së bashku me institucionet rumune dhe shoqatat e shqiptarëve, do të organizojmë një sërë aktivitetesh të rëndësishme shkencore, kulturore, artistike etj.
Duke iu rikthyer pyetjes suaj, për Shqipërinë objektivi madhor kombëtar mbetet integrimi në Bashkimin Europian. Rreth 94 për qind e shqiptarëve mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për realizimin e 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Europian, duke synuar marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Shndërrimi në realitet i ëndrrës së shqiptarëve, “Shqipëria, vend i zhvilluar”, mbetet një tjetër objektiv madhor për vitet në vazhdim. Një objektiv tjetër është që Shqipëria të bëhet një vend i rëndësishëm i prodhimit të energjisë së rinovueshme në rajon. Deri tani janë përfunduar me sektorin privat kontrata koncesionare për ndërtimin e 220 hidrocentraleve, nga 450 të mundshme për t’u ndërtuar. Gjithashtu po inkurajohen, janë dhënë e po jepen licenca për prodhimin e energjisë nëpërmjet erës, si dhe të energjisë diellore dhe asaj gjeotermike.
Mes objektivash të tjerë të rëndësishëm mbetet zhvillimi i arsimit, thellimi i dijes, kujdesi për shëndetin e qytetarëve, parandalimi dhe trajtimi i sëmundjeve, si dhe preokupimi i veçantë për potencialin e shkëlqyer turistik, – sa në bregdet, aq edhe në zonat malore.
Shqipëria në moshën dixhitale dhe përmirësimi i shërbimit dhe infrastrukturës turistike janë gjithashtu objektiva të tjerë madhorë dhe ambiciozë të qeverisë shqiptare.
Ç’mund të thoni për politikën rajonale të Shqipërisë dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor?
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë progres thelbësor në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria është pjesë e rëndësishme e këtij progresi, e kësaj rrjedhe pozitive drejt Europës. Në këtë kontekst, është me shumë rëndësi që perspektiva europiane e vendeve tona të vazhdojë të mbetet në krye të axhendës europiane dhe që dyert e Bashkimit Europian të mbeten të hapura. Pranimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë do të pasohet së shpejti nga anëtarësimi i gjitha vendeve të tjera të rajonit, përfshirë edhe Kosovën. Shqipëria beson fuqimisht se shtrirja e NATO-s në Ballkan, në thelb, është shtrirje, zgjerim i hapësirave të lirisë, stabilitetit dhe sigurisë.
Politika e dyerve të hapura që promovon NATO-ja është e vetmja politikë e drejtë dhe realiste, me përfitim të ndërsjellë gjeostrategjik dhe gjeopolitik, si për NATO-n, ashtu edhe për vetë vendet që aspirojnë të integrohen në të.
Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët e saj të drejtpërdrejtë, e në tërësi me vendet e rajonit dhe ka vullnet të plotë për konsolidimin më tej të këtyre marrëdhënieve. Vazhdojmë promovimin e integrimit rajonal përmes krijimit të një infrastrukture rajonale të përbashkët, heqjes së barrierave kufitare dhe sigurimit të lëvizjes së lirë të personave, mallrave dhe kapitalit.
Si i shikoni marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rumanisë?
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Rumanisë janë shumë të mira, mbështetur në lidhje historike e miqësore midis dy popujve tanë dhe me bashkëpunim aktual të shtrirë në të gjitha fushat. Rumania është aleate e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe një partner i rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Mjaft personalitete të larta rumune që kam takuar më kanë konfirmuar se Rumania do ta mbështesë Shqipërinë gjatë procesit të integrimit në BE, dhe për këtë shprehim mirënjohjen tonë të veçantë. Në kontekstin e këtyre marrëdhënieve, synojmë thellimin më tej të gjithë spektrit dypalësh të bashkëpunimit, si dhe mbajtjen hapur të dialogut politik që kemi. Po rikujtoj këtu se midis dy vendeve tona janë nënshkruar të gjitha dokumentet që rregullojnë bashkëpunimin dypalësh, duke përfshirë edhe Traktatin e Miqësisë. Shqipëria është e angazhuar për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve.
Marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Rumanisë janë mjaft të mira, duke kulmuar me vizitën në Tiranë, në vitin 2010, të Presidentit të Rumanisë, Shkëlqesisë së Tij, z. Traian Basescu. Kjo vizitë, si edhe vizita e pritshme në Bukuresht e Zv.kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Sh.T. z. Edmond Haxhinasto, do të përbëjnë pa dyshim një bazë për konsolidimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit tonë në të gjitha fushat.
Rumania, vend mik, priti dhe mbështeti të parin Kryeministër të Shqipërisë së pavarur, Ismail Qemalin, i cili bashkë me personalitete të tjera politike shqiptare, më 5 nëntor 1912, në hotelin “Continental” të Bukureshtit vendosi të shpallte pavarësinë e Shqipërisë, çka u finalizua në Vlorë, në datën historike, 28 Nëntor 1912. Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë: “Java e Kulturës Shqiptare-Bukuresht”, “Java e Kulturës Rumune në Tiranë”, simpoziume shkencore, ekspozita, promovime filmash, librash, personalitetesh të shquara etj”.
Marrë nga revista “Ballkani dhe Europa”, botuar në Rumani