E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri, atentat kundër gazetarit Mero Baze

Nga Tema

Makina e drejtorit të gazetës “TemA”, Mero Baze, është djegur natën e 31 dhjetorit. Një akt kriminal që vë në dyshim lirinë e shtypit në Shqipëri

Marrë nga “Le Courrier des Balkans”

Makina e drejtorit të gazetës “TemA”, Mero Baze, është djegur në natën e 31 dhjetorit të 2008, si një akt i qëllimshëm. Ky shpërthim ndodh në një kohë që marrëdhëniet mes Mero Bazes dhe kryeministrit Sali Berisha kanë degraduar publikisht kohët e fundit. Gazetari nuk ka hezituar të vërë drejtpërsëdrejti nën akuzë kryeministrin për çështjen e Gërdecit, çështjen e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe privatizimin jotransparent të kompanisë së naftës ARMO gjatë emisionit investigativ “Faktori Plus”.

Mero Baze shpreson në një hetim të paanshëm të policisë dhe e konsideron këtë si një akt të qartë shantazhi mbi atë dhe familjen e tij, për shkak të punës së tij si gazetar.

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë kanë reaguar publikisht për këtë ngjarje duke shprehur shqetësimin e tyre për fuqizimin e presioneve mafioze kundër gazetarëve. Përfaqësuesit e këtyre dy organizmave kanë pohuar mbështetjen për gazetarin e sulmuar dhe kanë kërkuar që policia të hetojë në mënyrë të paanshme.

Sipas tyre, zbardhja e kësaj ngjarjeje sa më shpejt do të bënte të mundur frenimin e sulmeve dhe shantazheve kundër shtypit. Gazetarët u shprehën gjithashtu shumë të shqetësuar nga heshtja e kryeministrit Sali Berisha dhe e partisë së tij. Këta të fundit nuk kanë reaguar kundër këtij sulmi të dhunshëm.

Një grup lexuesish në Zvicër

Me habi, po aq sa me shqetësim, mësojmë rreth përndjekjes në vazhdimësi kohët e fundit të gazetës “TemA” dhe botuesit të saj, z. Mero Baze. Jemi lexues të rregullt të mediave në atdheun tonë dhe te “TemA”, veçanërisht kohët e fundit, shohim një nga gazetat më të mprehta me sens të guximshëm kirurgjikal në plagët e zgjatura të Shqipërisë. Ne e ndjekim shtypin me një lloj malli, të shqetësuar, dhe mësojmë, si nga gazetarët e mirë që pa pyetur pasojat, Shqipërisë i mbrojnë shëndetin, dhe nga gazetarët pa dinjitet, të cilët megjithatë tregojnë sesa sëmurë është sot Shqipëria!

Nuk hyjmë në labirinthet e “arsyeve” të kësaj përndjekjeje, pasi nga larg as i dimë saktë. Veç kuptohet themelorja, ku lidhen tërë “arsyet”: përndjekjet e shkallëzuara janë hallka të një zinxhiri; këtë gazetë e këtë drejtor të saj, të cilin dikur e patëm disi afër e sot po na sjell ngatërresa të hidhura, ta zhdukim!

Më tepër se fakt, kërcënimi është fenomen mbi tërë shtypin e lirë. Të heshtësh për shokun, nesër të keqen e ke pranë vetes. Mbytja e gazetarëve është fenomeni më ogurzi i demokracisë. Shtypi i lirë është shenja e parë e lirisë. Një shtet diku dhe do gabojë e nëse gabimi është i pandërgjegjshëm, gazetari qortues falënderohet. Kjo dëshmon për fytyrën e qeverisjes. “Faleminderit që më zgjove!” - i tha një shtetar i njohur gazetarit që i publikoi dobësitë në punë. “Jam kundër mendimit tënd, por do bëj çmos që ti ta thuash mendimin tënd”, - i tha Volteri publicistit. E kundërta në vazhdimësi me shtetin shqiptar përbën shqetësim të vërtetë. Një gazetë nuk mund të flijohet për t’iu hapur udhë ndërmarrjeve të tjera, aq më tepër duke shkelur kontrata të lidhura ligjërisht. Duhet bërë e kundërta. Media, po qe nevojë e ngutshme kombëtare a shtetërore, hidhet në udhë e fundit. Të flijosh të parën, median, është njëlloj si në një qytet të shtosh dyqanet me zarzavate e të mbyllësh farmacinë. Xheferson, që me fillimet e demokracisë amerikane, në themel të saj vuri parimin e njohur botërisht: “Po të më lihej mua në dorë për të vendosur, nëse duhet të kemi një qeveri pa gazetarë apo gazetarë pa qeveri, pa asnjë ngurrim unë do parapëlqeja të dytën”. Gazetarja Katerinë Graham, pronarja dhe “gruaja e artë e “Washington Post”, siç dihet zbuloi e publikoi parregullsinë antiligjore - Watergate - të presidentit Nikson. Përballë dëshmive të pakundërshtueshme presidenti jep dorëheqjen, ndërsa gazetarja me kolegët vazhdon punën e nderuar dhe e qetë, pa lëvizur as nga pronësia e gazetës së madhe. Përmendim se Nikson ka vlerësuar: “Mediat janë edhe më të fuqishme se presidenti për ndërgjegjësimin publik, përpunimin e një mendimi të pjekur mbarëpopullor, e kjo për arsyen e thjeshtë se media gjithmonë ka fjalën e fundit”. Shembuj nga Shtetet e Bashkuara duhen marrë jo vetëm nga zilet në bahçen tënde, por dhe nga vlerësimi i shtypit kombëtar e botëror.

Në Tiranë, pas zhvendosjes së gazetës “TemA”, merr flakë dhe makina e drejtorit të saj (duhet tepër mundim e tepër dëshmi për t’i quajtur rastësi). Struci që fut kokën në ranë për të mos u dukur vetë, është fatkeq që s’e kupton se trupin jashtë e ka të zbuluar. Mendojmë se forcat e ndershme e të mprehta të mediave do arrijnë t’i vënë në vend gjërat, qoftë dhe me guximin që kërkon sot misioni i tyre fisnik. Në një vend, i cili ëndërron të hyjë në Evropën e qytetëruar, nuk shkon që fishekzjarrët e Vitit të Ri të pleksen me flakët që djegin shtypin e lirë. Na turpëroni dhe ne që jetojmë këndej.

Fadil Teneqja

fadilt@web.de

Munchen

Do të kisha dashur që në gazetën e parë shqiptare që ta hapja në këtë vit të ri të lexoja lajme të mira.

Lajmi për djegien e makinës së botuesit të gazetës “TemA” më shqetësoi si një ogur i keq. Mjaft më me zjarre e me duar të zeza që prishin natën atë që ndërtohet ditën. Unë i ardhur në Munih nga Kaçaniku përcjell si çdo shqiptar gjendjen në atdheun tonë, gjysmë-Shqipërinë, apo siç do të thoshte Qosja i madh, në Shqipërinë shtetërore.

Atëherë me hidhërim të papërmbajtur pata pritur lajmin tashmë nga shumëkush të harruar se në zgjedhjet e para pluraliste fituan bindshëm mbajtësit e diktaturës e më vonë, kur fituan ata që i thoshin vetes demokratë, u gëzova, por shpejt u binda se ata në të vërtetë ishin, siç do të thoshte Haveli çek, antikomunistë komunistë që ishin më të këqij se komunistët.

Pas gëzimit që Shqipëria shpëtoi pa trazira e gjakderdhje, erdhi dëshpërimi se megjithatë në emër të luftës kundër komunistëve po shkatërroheshin edhe vlerat e mirëfillta e kulmi i gjithë kësaj u bë më 1997, kur u dogj atdheu e në krye të tij ishte ai që është edhe sot. Pas asaj katastrofe, ma mori mendja se iku njëherë e përgjithmonë enverizmi bashkë me saliizmin, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.

Në vendlindjen time thonë: nëse më mashtron së pari, kurrë nuk ta bëj hall, por nëse arrin të më mashtrosh për së dyti, hallall të qoftë!

Ju shpreh keqardhjet më të sinqerta dhe dëshiroj që ky zjarr i vogël kundër jush mos t’ju frikësojë që t’i demaskoni edhe më tutje plangprishësit!

“Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët, se nga të huajt e ruajmë ne shqiptarët!” - po i parafrazoj për fund fjalët e Konicës.

Tirana Sh

tirana08@hotmail.com

Z. Baze,

Sinqerisht me erdhi keq për aksidentin mbi makinën tuaj. Ajo nuk është një djegie e rastësishme, por e qëllimshme. Kujdes, ta them me zemër të pastër si qytetar i këtij vendi.

Në asnjë moment nuk e kam pranuar se Kosta Trebicka ka vdekur nga aksidenti, nuk mund të ndodhë që një makinë me një shpejtësi me 35-40 km/orë duke pasur parasysh edhe peshën e makinës të përmbyset dhe të rikthehet në gjendje normale.

Kështu po ndodh edhe me djegien e makinës tuaj, që makina merr flakë nga mbrapa, qarku elektrik është përpara, konkluzioni: djegie nga qarku elektrik???

B. Skendo

toworld@hotmail.de

Düsseldorf

I nderuar zoti Mero Baze,

Unë jetoj prej 18 vitesh në Gjermani dhe jam një adhuruese e punës fisnike që ju bëni.

Ju jetoni në rrezik dhe nuk dua që nesër të thuhet vdiq aksidentalisht në makinë.

Ruani veten ju lutem, se mafia ka kapur shtetin në mënyrën më brutale që ekziston. Aty nuk është mafie në politikë, por në polici, gjykatë e kudo, pra aty nuk ke shans të ecësh përpara.

Mafia aty është si një kancer i përhapur. Gjithmonë kam dhimbje e mall për Shqipërinë, por këtë vit që shoh e lexoj shtypin, të cilit i besoj e sidomos juve, ndjej një neveri të theksuar për atë shtet, për ata mafiozë që iu pinë gjakun të gjithëve dhe në fund i vrasin. Turp dhe s’është çudi që na urrejnë në nëpër botë, kur në krye udhëhiqemi nga kriminelë e vagabondë pa shkollë e me diploma false.

Ju lutem kujdesuni për veten dhe familjen tuaj dhe Zoti ju bekoftë, jeni një njeri i shkëlqyer, se jeni i ndershëm!

Aquila

margheret.s@alice.it

Më në fund arrita të lexoj gazetën “TemA”. Realitetin shqiptar besoj që e njoh, por shkruar në gazetat shqiptare deri tani e kam gjetur vetëm te

gazeta juaj. Gazetari Mero Baze, jeni një hero i fjalës së lirë në një shtet të uzurpuar nga një person i dyshimtë e pa frikë mund të themi diktator!

Por diktatori shqiptar i ditëve të sotme duhet ta dijë që herët ose vonë do përfundojë si pacienti e miku i tij që i ngjason aq shumë në mënyrën e qeverisjes së vendit, Enver Hoxha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›