Ekzekutohet nga bashkëshortja dhe i biri 59-vjeçari
Një 59-vjeçar është ekzekutuar dje nga bashkëshortja dhe i biri, pas një zënke të çastit. Viktima është Nuhi Zeka, ndërsa policia ka arrestuar dy të dyshuarit si ekzekutorë të tij, Shyqyrie Zekën dhe djalin e saj, Hamdiun. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Karinë të Peqinit, ndërsa policia deklaroi se motivi i saj dyshohet të ketë qenë për arsye banale. Sakaq, po gjatë ditës së djeshme, Policia e Korçës ka gjetur të pajetë trupin e 35-vjeçarit Pëllumb Çollaku, i cili dyshohet se është ekzekutuar.
Policia bëri të ditur dje se një 59-vjeçari Nuhi Zeka është ekzekutuar me armë zjarri nga bashkëshortja dhe djali i tij, Shyqyrije dhe Hamdi Zeka. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Karinë të komunës me të njëjtin emër, që ndodhet në rrethin e Peqinit. Policia tha se Nuhi Zeka është qëlluar me automatik tip “Kallashnikov”, nga 58-vjeçarja, Shyqrije Zeka dhe djali 28-vjeçar, Hamdi Zeka. Në gjendje kritike për jetën, i plagosuri u dërgua në spitalin e qytetit të Lushnjes, ku pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai ndërroi jetë për shkak të plagëve fatale të marra nga plumbat e armës automatike. Sipas burimeve të policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një zënke të çastit mes tre anëtarëve të familjes, çka ka sjellë më pas edhe ekzekutimin e 59-vjeçarit. Megjithatë, policia nuk ka bërë të ditur se kush prej nënë e bir kanë qëlluar në drejtim të Nuhi Zekës, apo nëse të dy ata kanë qëlluar në drejtim të tij. Sakaq, policia nuk ka mundur që të zbardhë as motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë, që tronditi dje rrethin e Peqinit. Burime të pakonfirmuara thanë se viktima kishte disa kohë që grindej me pjesëtarët e tjerë të familjes, gjë që duket se u ka sosur durimin bashkëshortes dhe djalit, të cilët e kanë vrarë dje. Këta të fundit janë prangosur menjëherë pas krimit të kryer dhe tashmë do të procedohen penalisht për veprën e “Vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë, policia deklaroi se është duke hetuar për këtë rast, në mënyrë që të zbardhë plotësisht ngjarjen dhe motivin që çoi në ekzekutimin e 59 vjeçarit Nuhi Zeka.