Flamuri merr mbështetje nga Novoseja për kontrollin mbi vjehrrin dhe vjehrrën
Antena brenda familjes
I dashur Feim, dhe jo siç ta ngatërron emrin ai gazetari që ta shkruan Flamur.
Jemi mbledhë si fshat për të të mbështetur në misionin tënd fisnik, pasi nga fshati jonë askush nuk u ngjit më lart se ty në pozitë. Ka pesë ditë që bora ka bllokuar fshatin dhe askush nuk del dot përtej tij. Rrimë gjithë ditën brenda dhe shikojmë vetëm televizor. Gjithë fshati të ka në gojë, se je njeriu më i madh i pushtetit në Tiranë. U përpoqëm të lidhemi me ty para Vitit të Ri, por na thanë që ke shku për festë në Maqedoni, por i kë rënë nga rruga tjetër, nga poshtë. Atij gazetarit që të qet bisedat sekrete ty, ia kishin djegë makinën dhe jena gëzu si fshat. Se ai mes të tjerash ta ka ngatërru dhe emrin, në vend që të shkrujë emrin Feim, ta shkrun Flamur, se do të mbulojë gjurmët. Por ne të njohim nga fotoja që je djali jonë.
Duhet të të sigurojmë se nuk po të shkrujmë për hallin tonë, por për hallet e tua. Tani që je bërë i madh në Tiranë, kemi dëgju nëpër gazeta se ti bën ligjin për gjithçka. Të kena pa dhe në një foto që e ke ngritë gishtin njësoj si kryeministri. Kjo na ka gëzu shumë. Por kërkesa jonë e parë është të ruash krenarinë e fshatit dhe mos të përflitesh për korrupsion. Dëgjumë që tani qeveria do kontrollojë dhe pasurinë e vjehrrit dhe vjehrrës. Na kanë thënë që ata i ke andej nga Korça dhe janë njerëz korrekt. Kjo na ka gëzuar.
Por halli ynë nuk mbaron me ty. Kemi dëgju që ky Lulzim Basha i ka vjehrrin dhe vjehrrën të pasur. I paskan punuar të dy te VEFA dhe paskan marrë gjithë paratë që kanë mbetur aty. Kjo na ka shqetësuar shumë, se mund të njollosë figurën e Lulit, të cilin e duam dhe e respektojmë të gjithë. Kur mësuam se gjyshja e tij ka kalu kah Peja përmes Vuthajve dhe përmes fshatit tonë për të zbrit në Tiranë, na u bë zemra mal. Nuk duam që ai djalë të njolloset për shkak të vjehrrit dhe vjehrrës. Ata i kanë fituar ato pare, para se Luli të bëhej me ne. Atëherë kur ata bënë lekët, ishin me PS dhe ne s’kemi pse mbajmë kusuret e tyre. Na iku jeta duke u marr me këto lekët e VEFA-s. Nuk kemi pse merremi ne me to.
Kemi dhe hallin e fëmijëve të doktorit. Për Argitën s’kanë çfarë thonë, se i ka vjehrrin dhe vjehrrën të varfër. Familje e ndershme dhe fukarenj. I njeh gjithë Tirana. Vjehrri i saj tërë jetën është marrë me histori dhe dihet që s’ka bërë njeriu hajër me letra. Kështu që ajo del e pastër, s’ia kemi merakun. Burrit të saj po ashtu s’ia kemi merakun, se ka vjehërr atë burrin që e di gjithë bota që është i pastër. Vetëm djalit ia kemi pak merakun, por ai i ka vjehrrin dhe vjehrrën jashtë shtetit. Ata kanë paret e tyre dhe i kan fitu para se të bëhej dhëndër ai. Dhe pse kanë një mbiemër, nuk i kap ligji, se është vetëm për vjehrrin dhe vjehrrën, por jo për kushërinjtë.
Merak kemi këtë Gert Bogdanin. Thonë që e ka të pasur vjehrrin dhe vjehrrën, por janë pasuruar si socialistë. Kemi qejf që atij t’i dalin dosjet dhe ta bëjmë si shembull, se me këtë rast dhe dënojmë dy socialistë, dhe duket sikur luftojmë korrupsionin brenda radhëve tona. Vetëm me karar se mos na ikën dhe ai na bëhet me atë partinë PS ’91 si ato të dy minibashkive të tjera. Se aq presion mbajnë këta të minibashkive. Ikin menjëherë.
Merak kemi dhe këta ministrat që mban më afër ai burri. Nuk dimë si i kanë ata punët me vjehrrin dhe vjehrrën, por, me sa kemi dëgjuar, nuk para pyesin shumë për ta, përveç rasteve që përmendëm më sipër.
Nga kryesia e PD nuk kemi ndonjë merak. Për Aldo Bumçin, që na bën zemrën mal kur flet, jemi të qetë se i ka vdekur vjehrri. Sidoqoftë, jemi në merak se tani jemi mbyllur nga bora brenda dhe vetëm shikojmë televizor, pjekim patate dhe flasim për hallet e tua.