E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për poezinë, Ervin Hatibin, Rudian Zekthin e të tjerë

Nga Kozeta Boci

Poezia nuk është vendi i vetëm në të cilin jam mësuar të strehohem, ndaj shijet e mia dhe kërkesat ndaj saj, e pranoj, në shumë raste nuk përputhen me të rrethit të njerëzve për të cilët ajo është gati një mënyrë të marri frymë. Poezia më ngacmon me pasurinë e të vërtetave, jo thjesht me pasurinë e ideve. E vërteta për mua ka një veti të mahnitshme; depërton nga të gjitha shqisat edhe nëse s’e rrokim qënien e saj. Me përkryerjen e organizimit të ekzistencës sonë ndiejmë shijen, aromën, ngjyrat dhe tingujt e bukurisë edhe pse s’mund t’ia njohim sekretin. Idetë mund të jenë të pasura dhe tërheqëse në formulim, por nëse nuk e kanë këtë tharm, më shfaqen të zbrazëta e lodhëse.

Mjeshtëria e poetit i ndërthur imazhet e botës ndjesore falë pikave të shumëfishta ku mund të zhvendoset e të vëzhgojë. Kësisoj bëhet i vërtetë, lehtësisht i perceptueshëm, sado t’i mungojnë fjalët e shpjegimet magjepsjes sonë estetike. Në të kundërt përqas një imazh të panjohur me një konkret në mënyrë kaotike dhe kombinimi sado i artikuluar nuk ngrihet deri në nivelin e ngacmimit poetik. “... ndoshta është gabim të hamendësohet se metaforat mund të shpiken. Ato të njëmendtat, që formuloj në lidhje të forta mes dy imazheve, kanë ekzistuar gjithmonë, ato që mundemi ende të shpikim janë të rremet, të cilat s’ia vlen të shpiken.“ (Inkuizicionet e tjera-Jorge Luis Borges). Ndaj parapëlqej poezinë që tenton të risjellë çfarë në fakt ekziston përmes filtrit krijues, i cili s’bën gjë tjetër, vetëm se e ngjesh për ta dhënë para syve tanë të vegjël paanësinë, ose e ngre prej thellësive të mosdukjes e të fshehtës në nivelet e perceptimit njerëzor, gjithnjë pa e transformuar dhe pa ia humbur magjinë e harmonisë.

Është punë titanësh dashuria, lule titanësh, / ata krijojnë rryma të trasha ndjenje, / po s’qe aq i fortë e aq i zoti / mos i hyr fare punës së dashurisë – / punës së dhurimit të ndjenjave. ( PUNË DASHURIE / Rudian Zekthi)

Në këtë kuptim krijuesi ndryshon nga njerëzit e zakonshëm, leximi i të cilëve është si të lexosh kohën njëherësh e ndërkaq janë të palexueshëm veç e veç. Krijuesi është ndoshta më i lexueshmi; gjatë artikulimit të persiatjeve me fjalë, tinguj apo ngjyra nuk ka se si të mos jetë i pranishëm. Emri i tij mbi kopertinën e librit kushtëzon gjithë fiksionin, imazhin, perceptimin, arrin të interferojë ndjeshëm në gjykimet dhe shijet deri në atë shkallë sa, jo vetëm ndihemi sinkron me të, por përjetojmë si tonën fëmijërinë, dhembjen a dashurinë e tij. Gjatë procesit të krijimit e ka humbur intimitetin, por ka zbuluar dhe një pjesë të intimitetit tonë.

Unë vetë të mëkova / Dhe gjithë ç’di për mua vetë t’i mësova / Pa më marrë shumë leje ti tani po përdor / Për direkë, krahët e mij të lirë / Qepallat e mija për vela ke qepur / Pa ma varur lundron për ku je nisur. (KËNGË ME KARMA/ Ervin Hatibi)

Poeti duket sikur shkruan në një botë pa lexues ose, parë ndryshe, gjithë lexuesit janë vetet e tij në pikat e ndryshme të vendosjes. Lexuesi real është objekti që vrojtohet jo drejtpërdrejt, por në një fletë kujtese dhe mundëson përballjen me imazhin e vetvetes. Gjatë procesit krijues arrin madje të zhvendosë njeriun-poet ngjashëm me gjendjen e ëndërrimit, ku nuk e ke në dorë veten e rrëmbyeshëm hyjnë njerëz, ngjarje, frikë, ngazëllim, ndërthurje imazhesh të çuditshme, vetëzbulohesh ndaj realiteteve të fshehura a të harruara pa dëshirë ose me dëshirën për t’i shpëtuar turbullimit, vënies këmbë në një hapësirë që koha e ka kyçur larg përditshmërisë. Kur zgjohesh a shkëputesh nga vargëzimi, e merr me vete një farë kohe këtë gjendje dhe vuan apo ngazëllehesh duke e zgjatur deri në zbërthim agoninë e çastit që ikën. Aty si në ëndërr zbulohen ëndjet shpirtërore dhe thuhet ç’ka s’ka mundur të thuhet, bëhet ç’ka s’ka mundur të bëhet, pa marrë leje nga vetja, për ta plotësuar në shumë dimensione, në përmasa kohe të tjera. E shkuarja, e ardhmja, e tashmja shtresohen në një ndjesi kujtese prej flake që gjuhën e vërtit në ajër duke shkëputur dhe ndriçuar pamje torturuese e ku risillesh rreth unit.

Në zemër vijnë / e mblidhen, / ta nxijnë / kujtime të vjetra ëmbëlake / me një kreshendo prej flake (kashte // ... // Kujtime të gjalla qëruar / nga detajet banale / dhe mbetën simbole vetëm / si kafka / pas tretjes së lëkurës tullace / dhe mishrave të lodhur të mimikës në faqe ( VAJZAT E TRANZICIONIT/ Ervin Hatibi)

Mendoj se poeti është i vetëdijshëm për ç’ka zbulon dhe autoportreti fillon të përfshijë tiparet e një numri gjithnjë e më të madh njerëzish, çlirohet nga shpërfaqja e personales. Ndjesia kthehet nerv i grupit që në çast merr çehren e ngjyrës së poetit, thërret; ky jam unë, veçse këtë ngjyrë poeti e qëmtoi në përmasa të tjera dhe e kodifikoi me shenjat e gjuhës së njohur. Sa më i saktë të jetë ky kodifikim, aq më e thjeshtë duket fraza, aq më e njohur; ripërtërihet në vetëdije a thua e ke ditur përmendësh para shumë kohësh dhe e ke rigjetur. (Me thënë të vërtetën s’ka qenë kurrë pranë në këtë formë, por në një botë të huaj imazhesh nga ku poezia e solli).

seç është një zonë e errët / muzeale / në trup të çdo fjale //... // një zonë, një pikë / ku veç me të prekur / njeh krejt i ngjethur / me qirinjtë e gishtave / një profil të fshehur (Ervin Hatibi)

Më vjen shpesh në mendje kjo thënie: “Lexojmë të kuptojmë se s’jemi vetëm”. Për më tepër kur lexojmë poezi e ndiejmë më fort; shkalla e përfaqësimit rritet. Brenda vargjeve lënda jam unë po aq sa është autori, po aq sa është çdokush në intimitetin e tij të leximit. Poeti e shfaq, sa të qartë, aq edhe të ndrojtur gjendjen e kësaj lënde me modestinë e njeriut që ka marrë përsipër ta artikulojë e të kryejë detyrën e tij. Aty jemi ne - gjendje të ujshme nën koracën tokësore me të metat, frikën, ambicien, heshtjen dhe tingujt e pazëshëm që përpëliten nën të, derisa ajo gërmohet, rrëmbehet nga tërheqja e fatit dhe mbërrin në tempullin e vet. Kur lexojmë, kuptojmë që nën hijen e këtyre tempujve mund të mendosh mirë për veten e të pranosh të rizbulohesh përballë njohjes. Poezia vetë është një rrugë e tillë fati.

Çdo patate mendon keq për veten / sa pa njohur ujin / sa pa zbathur / këpucën me baltë / në pragje mermeri të këtij tempulli (PATATE / Ervin Hatibi)

Që në fillim thashë se poezia më ngacmon me të vërtetat e saj, por për të qenë e qartë nuk nënkuptova fakte të vërteta historike apo shkencore të mirëformuluara për të cilat do t’ia mbathja diku tjetër. Ajo që kalon përmes shqisave e na rrënqeth qënien apo gjenerohet brenda nesh si kërkesë kuptimësie dhe vazhdimësie, universi i jashtëm që na përpin e largohet, universi i brendshëm që na shpërbën e na lidh në shtresëzime të paparashikuara e gjejnë veten të shprehur butë te poezia. Me ç’mjet autori do të mundej ndryshe të përkufizonte gjendjen e turbullimit të brendshëm dhe ta dërgonte të pacenuar verbërinë e saj tek vajza e dëshiruar? ... mendoj, mendoj se si / avujt e ngohtë të frymës sime / si zogj të bardhë e të verbuar / mbërrijnë te ti ... (DËSHIRË / Ervin Hatibi)

Mund të mos jetë perceptim i thjeshtë, por po aq i vërtetë, nëse turbullimi i brendshëm të kërkon të ngjeshësh kohë dhe hapësirë e ta riformulosh tërësinë në një çast, nëse lëndën e errët të duhet ta kristalizosh dhe qymyrin që të ka mbytur për një kohë të gjatë ta kthesh në diamant me shkëlqimin e pazbërthyeshëm që ndan nga risku i përditshëm i shpirtit.

Si shigjetë e ngul trurin tim aty ku zverdhet. / Nën këtë qiell të mekanizuar nga shpirtrat / Veç nga rrënqethja e qenieve të ngjashme me mua. / Kujt ngjarjeje të ardhme i shkoi ndërmend / Që mund të ha vezë të afrohem edhe më me botën? (NGRËNIA E VEZËVE / Rudian Zekthi)

Për të prekur e udhëtuar në viset e pashtjelluara të unit tim, kthehem hera-herës tek poezia që dua.

(Shënim: Titulli është redaksional.Dh.H.)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›