E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat e fundvitit shkaktojnë tension në Shqipëri

Nga Besar Likmeta, BIRN

Parlamenti shqiptar miratoi të hënën e kaluar dy ligje të shumëpërfolura, një ligj të ri që rregullon shërbimin e prokurorisë dhe Kodin Elektoral për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Prokurorët kanë kundërshtuar gjerësisht ligjin e parë, duke argumentuar se ai do të kufizojë pavarësinë e tyre nga gjyqësori dhe do i bëjë më vulnerabël ndaj presionit politik.

Kodi Elektoral ka ngritur një stuhi politike mes partive të vogla, të cilat pretendojnë se ai mund t’i fshijë ato nga harta parlamentare.

Analistët e shohin votën e fundvitit si një kompromis mes Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha dhe socialistëve të drejtuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, dhe si një përpjekje e të dy liderëve për të forcuar pozitat e tyre në politikë, e madje për t’i bërë imunë ndaj ndonjë hetimi të mundshëm.

Publicisti dhe komentatori politik, Mero Baze, bie dakord me parashikimin se raportimi i vazhdueshëm në parlament mund të vërë në vështirësi Prokurorin e Përgjithshëm.

“Është një handikap i madh, për shkak se lejon qeverinë të hedhë baltë mbi prokurorinë dhe ta vendosë atë në presion politik çdo gjashtë muaj”, - thotë Baze, duke shtuar se qeveria po e përdor ligjin për të detyruar Prokuroren e Përgjithshme që të heqë dorë nga hetimet për korrupsion, që përfshijnë zyrtarë të rangjeve të larta.

Për komentatorin Mentor Nazarko, ligji i ri ngre pyetje të rëndësishme në lidhje me ndarjen e pushteteve. “Ky ligj thyen principet kushtetuese, sipas të cilave prokuroria është një institucion i pavarur nga qeveria”, - thotë Nazarko.

“Forcon kontrollin e qeverisë mbi prokurorët dhe nuk vjen në një kohë kur institucioni është inaktiv, por proaktiv (kundër krimit dhe korrupsionit)”, - shton ai.

Edhe pse ky parlament e votoi Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, në atë post, hetimet për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë kanë acaruar shumë nga mbështetësit e saj, përfshirë kryeministrin Sali Berisha.

“Ky ligj nuk është miratuar që të forcojë prokurorinë ose të pastrojë politikën, por të mbrojë disa nga aferat më të mëdha të korrupsionit, që zhvillohen në sfondin qeveritar”, - thotë analisti i mirënjohur politik, Mustafa Nano.

Bashkë me ligjin për shërbimin e prokurorisë, parlamenti votoi dhe Kodin Elektoral, për të cilin shumë vëzhgues thonë se kjo është arsyeja pse socialistët mbështetën ligjin për prokurorinë.

Ndryshimet në Kodin Elektoral kanë sjellë përplasje të hidhura mes partive të vogla dhe atyre të mëdha, veçanërisht tek e majta, ku lideri socialist, Edi Rama, po përballet me një rival të fortë, kryetarin e LSI, Ilir Meta.

Meta, së bashku me Nard Ndokën, kreun e demokristianëve, Petro Koçin, një tjetër lider i një partie të dalë nga çarja mes socialistëve, dhe shtatë deputetë hynë në grevë urie për të fituar mbështetje për kundërshtimet e tyre ndaj Kodit.

Kodi u rikthye në parlament nga presidenti, Bamir Topi, për teknikalitete. Kodi i ri, së bashku me disa ndryshime kushtetuese, të miratuara në prill, forcuan rolin e kryeministrit dhe pozitat e të dy liderëve në partitë respektive.

“Duke marrë borxh nga sistemet politike sa andej- këndej, ata kanë krijuar një skemë unike politike, në të cilën shqiptarët duhet të zgjedhin vetëm mes Sali Berishës dhe Edi Ramës”, - komenton Baze.

Me ligje të reja në lojë, drejtuesit e partive politike do të zgjedhin listën e deputetëve, zgjedhin presidentin me shumicë të thjeshtë dhe do të fitojnë kontroll më të madh në sistemin e drejtësisë.

“Është prodhuar një sistem antidemokratik”, - shton Baze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›