Shqipëri, në një mijë lindje, dy fëmijë janë të shurdhët
Në Shqipëri, në çdo një mijë të lindur, dy janë hipoakuzikë, fëmijë që kanë probleme me dëgjimin, dhe kjo e dhënë është 2 herë më e lartë se mesatarja europiane. Nisur nga ky konstatim, lindi edhe bashkëpunimi për përgatitjen e një projekti mes strukturave shëndetësore shqiptare dhe atyre italiane. Dje, në një konferencë ku merrnin pjesë përfaqësues të Ambasadës Italiane dhe specialistë të shëndetësisë, u referua projekti që u realizua lidhur me krijimin e një rrjeti të dhënash për fëmijët që nuk dëgjojnë, ekzaminimet e kryera dhe ndërhyrjet që kanë sjellë edhe përmirësim të gjendjes shëndetësore të fëmijëve. Sipas të dhënave, veprimtaritë e kontrolleve për 18 muaj resht u zhvilluan në katër maternitete: dy në Tiranë, një në Fier dhe një në Shkodër. Drejtorët ose shefat e shërbimit të neonatologjisë në maternitete, përcaktuan infermieret, që më pas u trajnuan nga specialistët italianë në teori dhe praktikë mbi rëndësinë dhe protokollin e screening-ut dhe përdorimin e aparaturave diagnostike OAE të ofruara nga projekti. Më tej u kryen ekzaminimet diagnostike të nivelit të dytë për neonatët e evidentuar me probleme të dëgjimit, shurdhëri. Këto ekzaminime përsëriten, sipas protokollit, pas tre muajsh. Neonatëve të diagnostikuar si hipoakuzikë, ju morën masat për protezimin e mëpasshëm. Kjo është edhe hallka e fundit e një zinxhiri të tërë ekzaminimesh. Protezimi bëhet jo më herët se 8-10 muaj pas lindjes së foshnjës. Deri më sot janë marrë masat te 8 fëmijë. “Projekti i Fondacionit MAGIS, që me kontributin e kooperimit italian ofrohet të ndërhyjë sa më herët të jetë e mundur dhe me terapi të përshtatshme te fëmijët që nuk dëgjojnë, është një shembull bashkëpunimi në dobi të dy popujve tanë”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në fjalën e tij.
#