Shqipëria financon komunën serbe të Kosovës
Shqipëria ka vendosur të shpenzojë 400 mijë euro për të financuar projekte zhvillimore që qeveria e Kosovës ka në plan të zbatojë në Komunën e Gracanicës, e cila banohet në mazhorancë nga popullatë serbe. Një vendim i qeverisë ka vendosur të kanalizojë shumën e mësipërme përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të ketë edhe detyrën për të mbikëqyrur zbatimin e projekteve. Vendimi nuk detajon se për çfarë projektesh bëhet fjalë. Qeveria shqiptare është angazhuar prej disa vitesh në zbutjen e mosmarrëveshjeve dhe klimës së mosbesimit mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe si shenjë e vullnetit të mirë ka ofruar ndihma teknike dhe financiare. Në vitin 2006, qeveria shqiptare premtoi asistencë teknike dhe financiare për mirëmbajtjen e disa veprave të kultit të serbëve të Kosovës, një aventurë e përshëndetur nga priftërinjtë serbë vendës, por që u bllokua pak më vonë nga ndërhyrjet e qarqeve të larta të kishës ortodokse serbe në Beograd. Shqipëria është vetë një vend që përfiton ende nga fondet bamirëse të donatorëve ndërkombëtarë. Vendimi i fundit i qeverisë është propozuar nga ministri i Shtetit për Reformat.
#