Itali- Shqipëri, kapi mbi një ton drogë
Vizita e Motta-s në Tiranë vjen pak ditë pas operacionit të përbashkët policor shqiptaro-italian, që çoi në sekuestrimin e një sasie prej më shumë se 1 ton, saktësisht 1215 kg marijuanë në brigjet salentinase dhe arrestimin e dy shqiptarëve dhe ndalimin e një të treti. Droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanalit të Otrantos. Të arrestuarit janë Arbresh Hazizaj 23 vjeç, Almarind Brama 26 vjeç dhe Gëzim Bircaj 46 vjeç. Nëse droga do të shitej e tëra në treg, trafikantët do të arrinin të përfitonin 600 mijë euro. Nëse do të shitej pak nga pak fitimi, do të kapte shifrën e 1 milion eurove. Në kuadër të këtij operacioni në Shqipëri u arrestuan 4 persona, si dhe u sekuestruan 215.5 kg lëndë narkotike. Lënda narkotike u kap në flagrancë rreth orës 23:00 të datës 1 prill 2010, në urën e lumit Vjosë. Droga do dërgohej në Vlorë e më pas drejt Italisë. Në pranga të policisë përfunduan Eduart Kujtim Lushkaj 20 vjeç, Eglivan Novruz Atija 28 vjeç, Selami Hamet Lushkaj 37 vjeç, të tre nga Rrethi i Fierit, si dhe Andi Hysni Kurti, 41 vjeç, banues në Tiranë.
#