E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëri, o nëna ime” nga Ansambli Popullor – Koncerti premierë, një himn për dashurinë ndaj atdheut dhe rrënjëve shqiptare

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor po përgatitet një ngjarje e veçantë artistike.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të sjellë për publikun artdashës koncertin premierë “Shqipëri, o Nëna ime”, një shfaqje që vjen si himn i dashurisë për atdheun dhe rrënjët shqiptare.

Përkrah solistëve të njohur të Ansamblit Kombëtar Aranit Hoxha, Malvina Likaj dhe Denisa Gjezo  publiku do të ketë mundësinë të mirëpresë për herë të parë në një shfaqje me ansamblin tenorin me famë botërore Josif Gjipali, së bashku me Artistin e Madh Kastriot Tusha dhe baritonin e talentuar të TKOBAP-së Artur Vera.

“Repertori është shumë i bukur, ka një adrenalinë të mrekullueshme dhe shpresoj që publiku ta pëlqejë”, u shpreh tenori Kastriot Tusha.

“Për mua është hera e parë që marrë pjesë në një koncert të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, dhe është një eksperiencë e re dhe jam i bindur që do jetë një eksperiencë shumë e bukur”, tha tenori Josif Gjipali.

Ky koncert do të ngjitet në skenë më datën 8 nëntor duke sjellë me emocion, fuqi dhe krenari thesaret muzikore e koreografike të traditës sonë popullore.

Gazetare: Xh. Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›