Shqipëria, 1393 familje të ngujuara
TIRANE - Situata e hasmërisë në Shqipëri paraqitet e rëndë, në 12 qarqet e vendit janë 127062 raste hasmërie dhe numri i familjeve të fshehura apo të ngujura si pasojë e këtyre hasmërive kap shifrën e 1393. Këto janë shifrat e fundit që jep Komiteti i Pajtimit të Gjaqeve, i cili ka ndërmarrë një fushatë me degët e tij në të gjithë vendin, që të jaëp një pasqyrë të saktë të nivelit të lartë të hasmërive që kanë lindur ose janë trashëguar historikisht mes familjeve. Në këtë statistikë të tij, ky komitet, ka ndarë hasmëritë edhe sipas llojit të tyre në tetë nëndarje; Për tokën në fshat; Për pronën në qytet; Për vrasje; Për çështje nderi; Për trafik femrash; Për grindje të çastit; Të trashëguara dhe një seksion të veçantë "të tjera". Në tabelën që na e mundësojnë drejtuesit e këtij komiteti janë paraqitur se sa familje janë të fshehura dhe të ngujura, numrin e plotë të të cilave e dhamë më sipër si dhe familje që janë të mbyllura për trafik femrash apo për trafiqe të ndryshme. Sipas kryetarit të këtij komiteti, Gjin Marku, sipas shifrave të dhëna nga policia, nga 70-80 vrasje që jepeshin për vitet 2006, 2007, 2008, në vitin 2011 policia ka raportuar 124, brenda të cilave ka shënuar pesë për gjakmarrje e po kaq për hakmarrje. "Realisht rreth 100 prej këtyre vrasjeve janë vrasje tipike shqiptare, nën psikologjinë e deformuar të vetgjyqësisë, të mentalitetit patriarkal e kanunor për hakmarrje apo gjakmarrjes që mbeten njësoj si në të shkuarën për psikologjinë e deformuar shiptare mbi marrjen e gjakut apo të hakut (flakë për flakë) që të mbrohet nderi e dinjiteti", - shprehet ai për numrin e madh të vrasjeve të vitit të kaluar. Shifra të tilla janë një realitet për Shqipërinë dhe në statistikën e mëposhtme nuk janë shënuar rastet e vrasjeve të kryera gjatë muajve të parë të 2012 për motivet e përshkruara në statistikën e komitetit, të cilat pritet të rrisin shifrat e mëposhtme. Gjin Marku, kërkon edhe njëherë bashkëpunim me policinë dhe me institucionet e tjera, në zgjidhjen e këtyre rasteve problematike. "Edhe në politkë dhe kushtetutë shqiptarët duhet të udhëhiqen nga Kanuni. Kanuni këmbëngul se bashkëpunimi e jo përçarja e vendosin rregullin, se respektimi i ligjit e jo shkelja e tij e çojnë vendin drejt integrimit në shoqërinë europiane", - shprehet më tej Marku, duke komentuar shifrat e dhëna nga Komiteti i tij.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)