Shqipëria, 15 herë poshtë Kroacisë, 4 herë poshtë SerbisëNë buxhetin e Tiranës për 2009-ën, sporti (i bashkuar me rininë) do të ketë në dispozicion 48.041 milionë lekë të reja, pra jo shumë mbi 400 000 euro, ndërsa Zagrebi ndan për sportin jo m

Bledar Kuka- Nëse Tirana do të ndodhej, bie fjala në Kroaci apo edhe në Serbinë më pak të zhvilluar, vlera e saj do të ishte shumë më e madhe. Me 616 mijë banorë, kryeqyteti shqiptar është një qendër e rëndësishme banimi, por arrin t’i sigurojë bashkisë së vet jo më shumë se 60 milionë euro buxhet, një “thërrime” krahasuar me të tillë si Zagrebi apo Beogradi.
Zhvillimi i sportit, natyrshëm, është i lidhur ngushtë me fuqinë ekonomike të një qendre të banuar dhe një ekonomi e tillë e dënon sportin e kryeqytetit shqiptar. Nëse hedh sytë këtu brenda trojeve ballkanase, shikon se Zagrebi me më pak se 800 000 banorë (786 200 sipas statistikave të 2008-ës), ka një buxhet prej rreth 1 miliard eurosh.
Në buxhetin e Tiranës për 2009-ën, sporti (i bashkuar me rininë) do të ketë në dispozicion 48.041 milionë lekë të reja, pra jo shumë mbi 400 000 euro, ndërsa Zagrebi ndan për sportin jo më pak se 220 milionë kuna, që i bie mbi 70 milionë euro. Edhe qytetet më të vegjël të Kroacisë kanë një zhvillim të tillë që i lejon të mbajnë sportin në nivele të pranueshme, si në aspektin elitar, ashtu edhe atë të masivitetit.
Rijeka ka vetëm 144 043 banorë, por buxheti i saj shkon mbi 100 milionë euro. Një qytet i vogël fare si Pula (62 080 banorë) ka një buxhet prej mbi 70 milionë eurosh, nga i cili sporti merr një pjesë të rëndësishme.
Beogradi është një qytet më i madh, me mbi 1.7 milionë banorë, por ndonëse poshtë Zagrebit në buxhet, sërish mbetet shumë më lart se kryeqyteti ynë. Sipas mediave serbe, ky buxhet arrin deri në 700 apo 800 milionë euro.
Përveç problemit të prapambetjes në zhvillim, kryeqyteti shqiptar ka vuajtur në 19 vitet e fundit edhe nga shndërrimi i objekteve sportive, si fusha futbolli, palestra të projektuara për lojra me dorë etj.
Kur sistemi u ndryshua më 1990, në Tiranën me 250 mijë banorë kishte plot 13 fusha me përmasa të rregullta, njëlloj si ato të stadiumeve. Kanë kaluar 19 vjet, qyteti është trefishuar (të paktën), por fushat janë zhdukur njëra pas tjetrës, duke mbetur vetëm 4. Mesatarja është një pjesëtim i thjeshtë aritmetik: një fushë për 187.5 mijë banorë. Nuk besohet të ketë ndonjë qytet në Europë, të paktën, me një mesatare kaq mizore.
E Hene, 16 Mars 2009