E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agresioni zgjedhor

Serbia ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve komunale më 6 maj edhe në Republikën e Kosovës. Ky vendim i Beogradit u kundërshtua nga Bashkimi Europian dhe nga Qeveria e Kosovës, duke u cilësuar si jolegal dhe në kundërshtim me vlerat europiane. Por, këto deklarata duket se nuk do ta zmbrapsin Presidentin serb, Boris Tadic të shkelë sërish mbi sovranitetin e Shtetit të Kosovës.

Duket se shpërblimi i Bashkimit Europian ndaj Serbisë duke i dhënë asaj statusin e kandidatit në shkëmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën nuk ka pasur efekt.

Shteti serb ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 6 maj, duke përfshirë edhe komunat e banuara me serbë në Kosovë duke injoruar kështu thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare që një gjë e tillë të mos ndodhë.

Mbajtjen e zgjedhjeve edhe në komunat serbe të Kosovës e ka paralajmëruar gjatë ditës së martë Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukic – Dejanovic, por edhe Presidenti serb, Boris Tadic.

Dejanovic ka thënë se zgjedhjet në Kosovë do të mbahen në ato komuna të udhëheqësve, të cilëve u ka kaluar mandati.

Sipas saj, këto zgjedhje do të mbahen në koordinim dhe bashkëpunim me UNMIK’un.

Por UNMIK’u, i kontaktuar nga Expressi, nuk ka qenë në gjendje të japë një përgjigje nëse do të marrë ndonjë rol në këto zgjedhje.

Zëdhënësi i UNMIK’ut, Olivier Salgado ka thënë për Express se nuk janë kontaktuar nga Beogradi për këtë çështje dhe se nga ata nuk është kërkuar zyrtarisht që të koordinojnë mbajtjen e zgjedhjeve në komunat serbe. I pyetur nëse nga Beogradit i kërkohet UNMIK’ut një gjë e tillë, Salgado ka thënë se ende është herët të thuhet decidivisht nëse një gjë e tillë do të ndodhë.

“Tani për tani nuk mund të them asgjë. Ne nuk jemi kontaktuar nga Beogradi për këtë çështje, dhe posa të mbajmë konsultat e nevojshme me Serbinë dhe akterët e tjerë ndërkombëtarë, do të kemi qëndrimin tonë”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për shtyp, duke thënë se qëndrimi i Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë është i papranueshëm, dhe si të tilla, këto zgjedhje nuk kanë efekt legal juridik dhe politik, dhe si të tilla do të trajtohen.

Në reagimin e Qeverisë gjithashtu thuhet se Republika e Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevantë ndërkombëtarë, duke ua bërë me dije atyre se këto sjellje janë të papranueshme. Sipas Qeverisë, vendimi i sotëm i shtetit serb demaskon qasjen antieuropiane të Serbisë ndaj Kosovës, dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqejë politikat e shekullit të kaluar.

“Bashkimi Europian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet europiane”, thuhet në reagim.

Edhe pse Bashkimi Europian nuk është shprehur zyrtarisht ndaj paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ky vendim duket se i ka befasuar zyrtarët në Bruksel.

Por jozyrtarisht, BE’ja konsideron se një vendim i tillë i Beogradit është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që Serbia i ka marrë mbi vete.

Sipas burimeve BE’ja është deklaruar se nuk kanë pritur që Serbia të shpallë zgjedhje edhe në territorin e Kosovës, dhe se janë ndier të befasuar me një vendim të tillë.

“Ne nënvizojmë se thirrja e zgjedhjeve në Kosovë nuk është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, më saktësisht me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së”, ka thënë për Radion Europa e Lirë një zyrtar i Bashkimit Europian në Bruksel në kushte anonimiteti.

Për më shumë, sipas Bashkimit Europian, vullneti i treguar nga Serbia në gjetjen e zgjidhjeve në dialogun me Kosovën, ka dhënë sinjale se Serbia do të respektojë përgjegjësitë e marra, dhe do të sillet konform tyre.

“Kemi menduar se pasi që Serbia ka insistuar aq shumë që në dialogun me Prishtinën që të binden autoritetet e Prishtinës për përmendjen e Rezolutës 1244 në fusnotën rreth pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, Serbia do të respektojë edhe vetë atë rezolutë dhe të mos zhvillojë zgjedhje në Kosovë”.

Megjithatë, Franca është deklaruar zyrtarisht dhe qartësisht se nuk i përkrah këto zgjedhje, dhe i ka bërë thirrje shtetit serb që të përmbahet nga mbajtja e zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Francës, Bernard Valero, ka thënë se Parisi zyrtar e kundërshton një vendim të tillë të Serbisë.

Sipas Valeros, Franca kërkon nga Serbia që të mos bëjë thirrje për organizimin e zgjedhjeve komunale në Kosovë. Një vendim i tillë, sipas Parisit zyrtar, nuk do të ishte konform frymës së procesi të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe nismës serbe për afrim me Bashkimin Europian.

“Franca kërkon nga Serbia që të përmbahet për thirrjen e organizimit të zgjedhjeve komunale në Kosovë. Një vendim i tillë do të binte në kundërshtim me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me realitetin e Kosovës së pavarur nga viti 2008, konform me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e Parisit zyrtar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›