E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria 3 vjet në NATO, Topi: Qytetarët meritojnë edhe BE-në

TIRANE - Si sot, tre vjet më parë Shqipëria u rreshtua si vend anëtar i NATO-s, duke marrë pjesë me të drejta të plota në samitin e Strasburg-Këln.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në vitin 2008, në samitin e Bukureshtit dhe më 1 prill të 2009 vendi ynë, së bashku me Kroacinë, dorëzoi në një ceremoni në Departamentin Amerikan të Shtetit dokumentet për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Pak ditë pas anëtarësimit, në shenjë simbolike, NATO ngriti flamurin e Shqipërisë përkrah atyre të vendeve të tjera të aleancës, duke e renditur kështu vendin tonë mes 27 anëtarëve të tjerë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

TOPI: SHQIPËRIA E MERITOI NATO-n,QYTETARËT MERITOJNË BE-ne
Në 3-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Bamir Topi përfitoi nga rasti për t’i bërë sërish apel politikës, që të tregojë vullnet dhe përgjegjësi për të bërë realitet edhe integrimin e vendit në BE.

Në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës theksohet se: “Shqipëria e meritoi NATO-n, qytetarët shqiptarë e meritojnë BE-në. Përballë këtij vullneti unanim euroatlantik është përgjegjësi direkte e institucioneve politike për ta bërë këtë aspiratë një realitet të prekshëm, të merituar, të qëndrueshëm dhe afatgjatë.”

Sipas Presidentit Topi, anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si “kurorëzim i aspiratave dhe përpjekjeve të gjata kombëtare, si rikthim i natyrshëm i shqiptarëve në familjen atlantike dhe si një hap me rëndësi për forcimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin e Evropës Juglindore. Prej anëtarësimit bilanci i progresit rajonal, i stabilitetit demokratik dhe zgjerimit të bashkëpunimit shumëplanësh midis shteteve dhe qytetarëve tanë, është pozitiv dhe inkurajues për të ardhmen.”

Kreu i shtetit nënvizon se merita kryesore e arritjes së këtij suksesi u takon ushtarakëve shqiptarë, institucioneve politike e kushtetuese të përfshira në procesin e anëtarësimit, vendimmarrjes politike konsensuale për reformat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në një plan më të gjerë, të gjithë shoqërisë shqiptare, që ka qenë e është mbështetëse e fuqishme e vlerave dhe parimeve demokratike mbi të cilat është krijuar dhe funksion NATO-ja.

Sipas Presidentit, “shpresat dhe pritjet e mëdha për një demokraci funksionale të bazuar në forcimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, dhe një politikë me sjellje e vizion evropian, janë sfidat tona kryesore që burojnë nga qenia e jonë pjesë e familjes atlantike dhe një nxitje konkrete për të pasur të njëjtin bilanc pozitiv edhe në përpjekjet tona shtetërore e shoqërore për marrjen e ftesës së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.”

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›