E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, Bashkimi Europian dhe qingji i jashtëligjshem: “mision i pamundur”

*Letër e Hapur drejtuar Z. Jemin Gjana, Ministër i Bujqësisë (MBUMK)

Shkëlqesi,
A ka ndonje mundësi që Shqipëria të dalë nga hija e ilegalitetit në mënyrë që të favorizojë zhvillimin ekonomik dhe social? Dyshimi se kafshët e semura në Shqipëri mund të jenë përdorur për të prodhuar sallame, po krijon një tronditje të vërtetë. Është një situatë dramatike – por a është e papritur që një gjë e tillë të ndodhë? Përgjigja është “jo”. E vërteta është se nuk duhet të presim që do të ndodhë ndonjë ndryshim – sepse institucionet që duhet të preokupohen për këtë problem, në realitet, nuk ushtrojnë asnjë kontroll mbi prodhuesit, përpunuesit dhe tregtarët. Për më tepër, derisa rregulloret përkatëse e te nevojshme të perditesohen në këtë vend, është gati e pamundur për zyrtarët që t’i hyjnë një procesi kontrolli në terren. Si është e mundur që çështje kaq kritike të këtij nën-sektori kritik të lihen në harresë dhe të patrajtuara?

Zhvillimi bujqësor është thelbesor për arritjen e standarteve të përmirësuara të jetesës së Shqiptarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë në komunitetet fshatare. Ende nuk ka një plan të qartë për zhvillimin bujqësor dhe ky sektor deri tani nuk ka përfituar ndonjë investim të rëndësishëm. Pavarësisht mungesës së mbështetjes, bujqësia kontribuon rreth ¼ në GDP-në e vendit dhe përfaqëson burimin kryesor të punësimit për më tepër se 50% të popullsisë. Nën-sektori i blegtorisë përbën më tepër se 50 për qind të vlerës se prodhimit bujqësor. Dhe brenda kësaj, popullatat e bagëtive të imta – dhente dhe dhitë – janë burime potenciale te vërtetë për vendin, duke kapur shifrën rreth 3 milionë krerë. Vlerësimet e tregut kanë treguar se qengjat kanë potencialin më të lartë tregëtar - por nuk asnjë plan për të promovuar investimet e nevojshme për të zhvilluar më tepër këtë potencial.

Egzistojnë burime financiare që mund të investohen, psh një pjesë e madhe e depozitave bankare nuk përdoren. Ndërkohë që ka shenja të pamohueshme të investimit “ritual” në kafe/bare, restorante dhe pika karburanti, këto janë investime shterpe: të paafta të krijojnë dhe të mbështesin zhvillimin. Pse investitorët e mundshëm kanë frikë të përfshihen në investimet bujqësore në Shqipëri? A është objektivi i krijimit të një zhvillimi të qëndrueshëm në Shqipëri “një mision i pamundur”?

E vërteta është se deri më tani te gjitha bisedimet për zhvillimin e bujqësor dhe rural kanë provuar të jenë një flluskë sapuni. Ka më tepër produkte ushqimore dhe bujqësore që vijnë nga importi sesa të prodhuara në vend – dhe kjo prirje është shtrirë edhe në sektorë të tjerë ku prodhimet lokale tradicionalisht kanë qenë të forta. Nuk egzistojnë masa institucionale për ta luftuar këtë tendencë, përkundrazi, politikat aktuale e thellojnë edhe më shumë atë. Ka një reduktim të taksave mbi importet bujqësore ndërkohë që në të njëjtën kohë kontrollet që ushtrohen mbi këto importe janë shumë të dobëta. Kjo i ekspozon prodhuesit Shqiptare ndaj një rreziku të konkurrencës së pandershme me importet ose, akoma më keq, ndaj përballjes me probleme të tjera shtesë që lidhen me sëmundjet e kafshëve dhe të bimeve.

Duhet të pranohet se konsumatorët Shqiptarë aktualisht nuk kanë shumë besim në cilësinë dhe sigurinë e prodhimeve lokale. Për më tepër, çmimet e prodhimeve blegtorale lokale janë relativisht të larta. Kjo e fundit shpesh lexohet si një shenjë se prodhuesit kanë fitime të larta. Gjithsesi, ky është një perceptim i gabuar i situatës aktuale.

Çmimet janë të larta për shkak se kostot e prodhimit janë të larta. Kostot e prodhimit janë të larta për shkak se prodhueshmëria është e ulët. Rezultatet e kësaj situate, përfshi edhe mungesën e investimeve të larpërmendura, ka sjellë një garë të përfitimit sa më të madh nga burimet natyrore: kullotat e shkëlqyera (një pasuri e vërtetë për vendin) janë dëmtuar dhe trashëgimia gjenetike blegtorale ka pësuar një ndërprerje dramatike. Kjo mund të quhet çdo gjë por jo “mjedis i qëndrueshëm”!

Cila eshte gjendja e blegorise per momentin? Sistemi eshte ne prag te rrenimit: ka filluar importio i mishit te qingjit dhe ai mund te rritet ndjeshem duke i zene vendin cfare eshte fitimprurese nga prodhimi i vendit. Cdo kontroll shihet si i padobishem dhe thjesht qe con ne rritjen e rrezikshme te kostos se prodhimit. Ne kete kontekst, blegtoret shqiptare nuk jane pergatitur te bejne ndonje investim per permiresimin e cilesise dhe te sigurise se prodhimeve te tyre. Kjo do të ishte një shkatërrim fatal për një sektor të tillë, të konsideruar si më shumë rëndësi për arsyet ekonomike dhe kohezionin social të vendit.

Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar konkurrencën e prodhimeve blegtorale lokale? Një numër i konsiderueshëm përmirësimesh janë të nevojshme. Sigurisht që ato kanë kosto por përfitimi në të ardhmen do të jetë rritja e besimit të konsumatorëve, përmirësim i aksesit ndaj një tregu më të madh dhe rritje e prodhueshmërisë. Aspekte të sistemit që kërkojnë vëmendje të veçantë përfshijnë kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve, manaxhimin e kullotave, përmirësimin e racave, sisteme më të mira të ushqyerjes, thertore higjenike, ngritjen e ambjenteve për përpunimin e mishit dhe djathit, linja bashkekohore asgjesimi per kafshet e semura, përmirësimin e rrjeteve ftohes të transportit dhe të ruajtjes së prodhimeve, shërbime laboratorike, etj. Futja e manaxhimit modern blegtoral do të rriste prodhueshmërinë dhe do të ulte koston e prodhimit.

Por kush do të investonte për këtë? Si sektori publik ashtu edhe ai privat janë aktorë thelbësore në këtë proces të zhvillimit të qëndrueshëm. Qeveria nuk ka një plan të qartë, rrjedhimisht nuk egzistojnë as mënyra të tërheqjes së asistencës së nevojshme nga donatorët ndërkombëtarë. Sipërmarrësit janë në dijeni të rreziqeve që nuk trajtohen nga politikat e qeverisë dhe nuk janë të përgatitur që të investojnë në mënyrë direkte.

Cilat janë kushtet e nevojshme për të promovuar investimet në sektorin privat? Së pari dhe më e rëndësishmja, problemi i fshehur i ilegalitetet duhet të trajtohet në mënyrë urgjente – vendi nuk mund të përballojë një zvarritje të mëtejshme në këto kushte. Fuqizimi i ligjit është thelbësor në promovimin e transparencës, e cila nga ana tjetër është e nevojshme për të krijuar besimin e sektorit privat. Besim, i cili nevojitet për të zbatur një program të zhvillimit të qëndrueshëm. Promovimi i një mjedisi tregëtar të ndershëm është përgjegjësi direkte e qeverisë. Kush do të merrte përsipër investime të mëdha në thertore moderne kur egziston një rrezik real i humbjes së investimit për shkak të konkurencës së pandershme të therjes së mishit që kryhet në oborrin “prapa shtëpisë”. Vetëm duke forcuar rregullat dhe duke aplikuar sanksionet e parashikuara ndaj shkelësve, mundet që këto çrregullime të tregut të eleminohen dhe të krijohen kushte për zhvillimin e qëndrueshëm. Kontrolli është i nevojshëm në të gjitha fazat e këtij zinxhiri – nga prodhimi, përmes përpunimit dhe transportit të mishit në pikat e shitjes (nga “stalla” në “tavolinë”/ from “stable” to “table”) – nëse autoritetet do të sigurojnë se standartet e sigurisë së ushqimit janë respektuar.

Forcimi i rregullave është i nevojshëm por jo i mjaftueshëm. Prodhuesit kanë nevojë për ndihmë që të mund të plotësojnë kushtet e kërkuara. Prodhuesit Shqiptarë, në nivel individual, nuk kanë burimet teknike, manaxheriale apo financiare për të arritur këtë ridimensionim të sektorit në fjalë. Ata duhet të “aftësohen” që të luajnë rolin e tyre. Ata duhet të jenë pika fillestare për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm. Duke parë gjendjen e këtij nën-sektori, qeveria duhet të hartojë një plan kombëtar realist dhe të arritshëm për zhvillimin dhe një strategji të përshtatshme për zbatimin e këtij plani. Pa dyshim, Qeveria do të ketë nevojë për asistencën ndërkombëtare për hartimin dhe zbatimin e këtyre strategjive. Kjo është një fushë në të cilën fondet ndërkombëtare kanë qenë dhe akoma janë të mundshme.

Ka patur disa ndërhyrje nga donatorët për të trajtuar çështjet e zhvillimit bujqësor por ato nuk kanë patur ndikimin e parashikuar (shih programet PHARE dhe CARDS të financuara nga Bashkimi Europian dhe të zbatuara nga kompanitë private; ato të zbatuara nga FAO dhe PNUD dhe të financuara nga Qeveria Italiane). Fonde të tjera të parashikuara nga Bashkimi Europian (Instrument Pre-Accesion for Agriculture and Rural Development – IPARD) mund të përfitohen por kjo duhet të bëhet bazuar në një plan të përshtatshëm për trajtimin e këtij sektori në mënyrë të plotë. Përndryshe këto burime – ashtu si edhe të tjera më parë – do të harxhohen pa dobi duke lënë pas vetëm “kështjella të padobishme në shkretëtirë”.

Disa “ekspertë” kombëtarë deklarojnë se ajo që nevojitet për të zgjidhur “çështjen e zhvillimit te bujqësisë Shqiptare” është ndihma e pakushtëzuar ndërkombëtare. Kjo është marrëzi – është e pamundur të marrësh fonde nga ndërkombëtarët pa plane të cilat reflektonë bindshëm realizueshmërinë e tyre. Vetë agjensitë donatore janë përgjegjëse për zgjedhjet që bëjnë lidhur me investimet. Meqe vendi ka nevoje te madhe per ligjishmeri e plane te qarta te zhvillimit, a nuk do të ishte e mundur qe me anen e një projekt serioz, filluar nga UNDP “Asistence për Tregun Blegtoral” (ALT) si dhe te programit te ri për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (financuar nga BE dhe Qeveria Italiane), donatorët të ushtronin ndikimin e tyre duke kushtëzuar dhënien e fondeve me forcimin real të ligjit dhe të planeve? Kjo në fakt do të ishte shumë mirë për vendin.

Është e qartë se realizimi i një plani serioz për zhvillimin prek interesat e disa grupeve. Është gjithashtu e qartë se duhet të ketë një përpjekje për ndërtuar një koncensus publik lidhur me planet kombëtare të zhvillimit dhe që të gjitha grupet e interesit duhet të përfshihen në këtë proces. Të gjitha palët që aktualisht janë merren në sektorin e blegtorisë duhet që gjithashtu të përfshihen edhe në hartimin e planeve për modernizimin e sektorit.

Nga disa qarqe është lëshuar një thirrje zëlarte se prioriteti i zhvillimit të këtij sektori është ndërtimi i thertoreve të reja si një shenjë e dukshme e zhvillimit. Këto ambjente që rëndom ngrihen atje dhe këtu pa ndonjë kriter apo plan, nuk do të kenë asnjë impakt. Ndoshta në të ardhmen këto “kështjella të paqëndrueshme” do të kenë një kuptim, por sot qeveria duhet t’u japë prioritet investimeve që kanë një impakt real në kushtet e jetesës së Shqiptarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë në zonat rurale dhe që në të njëjtën kohë, të përmbushen edhe standartet e sigurisë së BE-së. Ndërtimi i thertoreve dhe manaxhimi i tyre duhet jetë qartazi një aktivitet i sektorit privat, i kontrolluar nga nstitucionet. Roli i Qeverisë duhet të jetë krijimi i kushteve që promovojnë besimin e investitorëve. Dhe një element kyç i kësaj është zbatimi i ligjit.

Pa rregulla dhe rregullore është e pamundur që të krijohen këto kushte të nevojshme për favorizimin e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Një ligjshmëri e mirëzbatuar është kultura që do ta çojë Shqipërinë drejt Europës. Forcimi i menjëhershëm i ligjeve egzistuese do të ishte një shenjë se gjërat po ndryshojnë... … dhe do te jete gjithashtu nje process ne linje me kerkesat e Marreveshjes se Stabilizim Asocimit, te nenshkruar ne Qershor 2007 midis BE dhe Shqiperise.

Në këtë pikë, institucionet Shqiptare po luajnë poker me besueshmërinë e tyre politike.

Tiranë, 07.05.2007

Giuseppe Amoriggi është Manaxher i Projektit “Assistencë për Tregun e Blegtorisë” (ALT) i financuar nga Qeveria Italiane dhe i zbatuar nga PNUD. Mendimet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›