E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria: Danimarkë, këtu ka zot!Shqipëria ndal Danimarkën me një barazim 1-1, i pari midis tyre në tetë takime

Publikoje ne:

Shqipëria ndal Danimarkën me një barazim 1-1, i pari midis tyre në tetë takime, por që komplikon seriozisht situatën në grupin 1 eliminator, pasi Suedia fitoi në Maltë. Një Shqipëri e madhe e drejtuar nga një stratet taktik si Josip Kuzhen në suksesin e radhës së teknikut kroat. Golin e barazimit për Shqipërinë e shënoi Bogdani, që firmosi edhe golin e tij të tretë në këto eliminatore dhe të shtatin personal në kualifikueset e botëroreve. Një pikë e bukur. Bravo kuqezinj, bravo Kuzhe. Tani na pret Suedia, më 14 tetor.

NDESHJA
Topin e parë e luajtën danezët në ndeshjen e dytë midis dy skuadrave dhe të parafundit në eliminatoret e Kampionatit Botëror. Në minutën e 6-të, Salihi gjuajti nga distanca, por pa problem për portierin danez Sorensen, i cili luan në Angli me Stok Siti, skuadra që mundi 1-0 Sandërlendin e Lorik Canës. Në tridhjetë minutat e para, Shqipëria u shfaq me potente, madje në minutën e 30-të, Skela lëshoi një top brenda zonës daneze, por Salihi i bllokuar edhe dalja e portierit kundërshtar nuk mundi të shënojë. Sidoqoftë emocionet nxitën tifozët: Shqipëri etnike, Shqipëri etnike. Përgjithësisht, lojë e vakët, por me një Shqipëri shumë të mirë të vendosur në gjysmëfishën e saj, duke nxjerrë me lehtësi jashtë loje cdo iniciativë të djemve të Morten Olsenit. Në minutën e 38-të, Elvin Beqiri bllokoi një top ajror të danezëve në afërsi të zonës sonë, kombinoi me Bogdanin, ky i fundit e coi te Agolli, por mesfushori i majtë nuk harkoi mirë. Në minutën e 39-të Niklas Bendtner, sulmuesi 21-vjecar i Arsenalit shënoi me kokë, duke na ndëshkuar ndoshta në momentin tonë më të mirë. Një gabim në rreshtim i mbrojtjes sonë, por dhe një dalje jo e studiuar e portierit Ujkani, që nuk mundi të shmangë golin e parë zyrtar të pësuar, pikërisht në ndeshjen e tij të tretë me përfaqësuesen. Shqipëria ende nuk ka një portier, që të zëvendësojë denjësisht Arjan Beqaj, të dëmtuar.  Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim për Shqipërinë, Jahmir Hyka hyri në lojë në vend të Elvin Beqirit. Në minutën e 52-të erdhi edhe goli i barazimit për Shqipërinë, pas një këmbëngulje në zonë të Hamdi Salihit, topi i gjuajtur nga shkodrani nuk u zotërua dot nga portieri Sorensen dhe Bogdani i ndodhur aty pranë shënoi golin e barazimit dhe të 12-in personal, duke u barazuar me Skelën. Shqipëria shënon në katër ndeshjet e fundit, ndërkohë që për Bogdanin ky ishte goli i tretë në katër ndeshjet e fundit. Shqipëria bëri një ndeshje të madhe në “Qemal Stafa”, atje ku barazoi edhe me Suedinë (0-0) e me të cilën do të ndeshemi muajin e ardhshëm në ndeshjen e fundit për këto eliminatore.

Shqiperia: Saimir Ujkani, Armend Dallku, Lorik Cana, Debatik Curri, Elvin Beqiri (Jahmir Hyka, 46), Ansi Agolli, Ervin Bulku, Klodian Duro, Ervin Skela (Emiljano Vila, 84), Erjon Bogdani (Gilman Lika, 78), Hamdi Salihi.

Danimarka: Thomas Sorensen, Christian Poulsen, Simon Kjaer, Anders Moller Christensen, William Kvist, Lars Jacobsen, Jakob Poulsen (Jesper Gronkjaer, 54), Dennis Rommedahl, Jon Dahl Tomasson (Soren Larsen, 75), Martin Jorgensen (Hjalte Bo Norregaard, 69), Nicklas Bendtner.


Fair Play
Në fillim të takimit, kapiteni i Shqipërisë, Ervin Skela, mbajti një fjalë të shkurtër, ku bëri thirrje për fair-play, me rastin e përvjetorit të promovimit të tij ndërkombëtar. Gjest që u përshendet si nga lojtarët danezë ashtu dhe nga publiku.

Himni
Tenori Kastriot Tusha këndoi bashkë me lojtarët dhe i shoqëruar nga tifozët himnin kombëtar të Shqipërisë. Himni danez është i incizuar, por i shoqëruar nga rreth 200 tifozë nga Danimarka të vendosur në tribunën D3.

Bollano
Është bërë zakon që në cdo ndeshje të Kombëtares të shahet në kor kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Në tribunën VIP të stadiumit Qemal Stafa ishte i pranishëm edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili i dëgjoi me “kënaqësi” të sharat.

Autogoli shpëton Suedinë

Suedia mori një fitore të vuajtur 1-0 në Maltë, madje të dhuruar nga “piratët” e Mesdheut, pasi ishte Azopardi që shënoi autogol në portën e tij në minutën e 81-të. Me këtë trepikësh të artë, Suedia e Zlatan Ibrahimovicit u ngjit në kuotën e 15 pikëve.

Ringjallet Portugalia

Portugalia rriti shpresat për një vend në finalet e Botërorit të Afrikës së Jugut, pas fitores 1-0 në Budapest me rivalen direkt, Hungarinë. Golin e vetëm të takimit e shënoi Pepe në minutën e 9-të, por që mjaftoi për tu siguruar tri pikë të mëdha luzitanëve.

Eliminatoret
Grupi 1

Maltë-Suedi         0-1
Shqipëri-Danimarkë     1-1
Hungari-Portugali     0-1

Renditja
Danimarka         18
Suedia         15
Portugalia        13
Hungaria        13
Shqipëria        7
Malta            1


E Merkure, 09 Shtator 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›