Shqiperia Italia Greqia rrisin bashkepunimin per TAP

Projekti i gazit TAP (Trans-Adriatik Pipeline) po merr një shtysë të re për sigurimin e korridorit jugor, për shkak të bashkëpunimit në rritje nga ana e tre vendeve të interesuara, Italia, Greqia dhe Shqipëria. Që nga mesi i muajit gusht dy ministritë greke ajo e Punëve të Jashtme dhe e Energjisë janë në kontakt të vazhdueshëm me homologet e tyre në Shqipëri dhe Itali për nënshkrimin e marrëveshjes së parë politike. Drafti i marrëveshjes, pas negociatave tri palëshe është shkruar dhe është konsultuar edhe me partnerët. Paralelisht Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti do të vizitojë Athinën në datën 5 tetor. Ai do të ketë një takim zyrtar me homologun e tij grek Dimitris Avramopoulos, me të cilin do të diskutojë detajet e fundit të marrëveshjes përpara se sa ajo t’u bëhet publike autoriteteve të Bashkimit Europian, konsorciumit të Shah Deniz dhe qeverisë së Azerbajxhanit. Nga ana e tjetër autoritetet italiane, përmes ambasadës së tyre në Athinë po përpiqen që të përshpejtojnë procesin e marrëveshjes politike, tri paleshe si një vendim kyç për suksesin e projektit. Ndërkohë projekti TAP është vlerësuar i rëndësishëm edhe nga SHBA. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të bashkuara ministri i Jashtëm Panariti është takuar me Zv/Asistentin e Sekretarit të Shtetit për Energjinë të SHBA, Amos Hochstein. Kreu i diplomacisë shqiptare ka shprehur kënaqësinë që ky projekt ka gjetur tashmë mbështetjen edhe të Greqisë e Italisë, si dhe për faktin se marrëveshja përkatëse do të nënshkruhet ndërmjet ministrave të jashtëm të tre vendeve gjatë kësaj jave në Nju Jork. Duke iu referuar projektit TAP, ai theksoi se ky projekt është i rëndësishëm jo vetëm për transmetimin e gazit drejt Evropës, por edhe në ruajtjen e konsolidimin e paqes e të sigurisë në rajon.