Beqja: Programi i PS-së anëtarëson shqipërinë brenda 2017-s
Intervista/ Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, tregon punën voluminoze të kryer në procesin e hartimit të programit
Programi qeverisës, që Partia Socialiste ka hartuar, parashikon anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda dy mandateve qeverisëse. Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, tregon punën voluminoze të kryer për këtë proces, si dhe prioritetet e dokumentit bazë, mbi të cilin do të qeverisë PS-ja, në rast se do të vijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme të 2009-s.
Z. Beqja, Partia Socialiste ka përfunduar draft-programin e saj politik dhe qeverisës. Ju, si një nga njerëzit që keni kontribuar në mënyrë direkte në këtë proces, mund të na thoni se mbi ç’baza është realizuar ai? E kam fjalën se a kishte një metodë si u përpunua materiali i grumbulluar gjatë “Dialogut me Shqipërinë”?
Së pari, më lejoni t’ju falenderoj për mundësinë që me jepni për të informuar lexuesit e gazetës suaj, por edhe publikun shqiptar për procesin e përgatitjes së programit të ardhshëm qeverisës të Partisë Socialiste, për periudhën 2009 – 2013. Në fakt, dokumenti që ne kemi përgatitur, programon se çfarë do të duhet të bëjmë deri në vitin 2017. Kjo edhe për arsyen se synimi ynë është që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian brenda dy mandatesh qeverisëse. Në përgatitjen e programit jemi bazuar në dy linja kryesore. Në diskutimin e hapur me shqiptarët gjatë “Dialogut me Shqipërinë”, në periudhën shtator 07’ deri maj 08’, dhe në mendimin profesionist, jo detyrimisht socialist, që fondacioni “Qemal Stafa” thithi në debatet “Me dyer të Hapura” në periudhën shkurt 08’ – qershor 08’. Në fund të çdo muaji diskutimi gjatë “Dialogut me Shqipërinë”, ne publikuam dokumentet që i quajtëm “Enciklika”. Enciklikat i shpërndamë në mijëra kopje të shkruara dhe po ashtu i dërguam elektronikisht në mijëra adresa e-mail-i. Kjo ka bërë që ne të marrim sugjerime dhe propozime nga shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, si dhe të afrojmë specialistë të ndryshëm në grupet e punës së hartimit të programit. Po ashtu, komisionet pranë Asamblesë Kombëtare të PS-së, anketuan me qindra individë e subjekte për të marrë informacion më të thelluar dhe detajuar për çështje të caktuara.
Mund të na jepni një panoramë të përmbledhur të organizimit të programit, pra kapitujt, faqet?
Informacioni që ne kemi mbledhur është voluminoz. Janë me qindra faqe të shkruara. Megjithatë, numri i faqeve të shkruara nuk është esencial. Në program gjejnë zgjidhje çështje të organizimit dhe funksionit të demokracisë, të shtetit ligjor, të ndarjes së pushteteve. Në program, po ashtu, ka propozime konkrete sesi do të zhvillohet ekonomia shqiptare, si do të zhvillohen sektorët realë të saj në një kontekst për herë e më hapur rajonal dhe global, pa rrënuar trashëgiminë natyrore dhe mjedisore, në kurriz të gjeneratave të ardhshme. Pa dyshim, që në program zë vend thelbësor qytetari shqiptar në të gjitha ngjarjet që ndodhin në jetën e tij. Programi përcakton se çfarë duhet bërë për arsimimin e shqiptarëve, sesi duhet zhvilluar kultura e shqiptarëve, sesi do të duhet të shtohet kujdesi për shëndetin e shqiptarëve dhe si do t’u ofrohet mbështetje për të dalë nga varfëria.
Cilat janë prioritetet e tij?
Siç u shpreha më lart, qëllimi ynë kryesor është integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Për të arritur këtë ne gjykojmë që armiqtë kryesorë të vendit janë varfëria dhe informaliteti. Me informalitet nuk kemi parasysh vetëm punën e zezë, por të gjithë raportet joformale që shqiptarët kanë me shtetin dhe ligjin. Programi i PS-së do të jetë mjeti që do të mundësojë që shqiptarët të dalin nga varfëria dhe të hyjnë në rrrugën e një zhvillimi e përparimi të qëndrueshëm.
Në hartimin e tij kanë dhënë një kontribut të madh dhe partnerët e huaj të PS-së. Mund të na përmendni disa prej tyre?
Është e vërtetë që në punën për hartimin e programit ne kemi patur dhe vijojmë të kemi mbështetje nga figura të spikatura të së majtës europiane, nga personalitete të shquara qeverisëse të Gjermanisë, Francës, Italisë, Hungarisë, etj. Më lejoni të them, unë kam patur fatin e madh që në këtë proces të diskutoj dhe të marr mendime nga Michel Rocard-i, Giuliani Amato, Massimo d’Alema, Cristoph Zoepel, etj. Po kështu, janë mbi 20 specialistë të ndryshëm italianë, gjermanë, irlandezë dhe hungarezë që, pas disa misioneve të ndryshme faktmbledhëse në Shqipëri, na kanë dhënë këshilla të frutshme për arsimin, shëndetësinë, mjedisin, energjinë, planifikimin e territorit, administrimin publik, bujqësinë, administrimin e ujërave, makroekonominë, çështjet sociale, pensionet, etj.
Nga ndryshon programi elektoral nga ai qeverisës?
Programi qeverisës është një program pune i detajuar për çdo ministri, për çdo agjenci qeveritare. Është një program pune i gatshëm për çdo drejtues, që në ditën e parë të punës, me fillimin e mandatit të ardhshëm qeverisës. Është një program, për të cilin janë përcaktuar saktë edhe mjetet financiare të nevojshme për realizimin e tij. Është një program, i cili në versionin paraprak, deri sot që ne flasim, jep zgjidhje për 107 çështje të identifikuara nga ne si të domosdoshme për ngjarjet e jetës së përditshme të çdo qytetari dhe për episodet e aktivitetit të përditshëm të çdo sipërmarrjeje. Mund t’ju them që në të njëjtin version që po flas, programi ynë është më i bollshëm dhe më i hollësishëm edhe se vetë “Strategjia për Zhvillim dhe Integrim 2007 – 2013”, e hartuar nga qeveria aktuale e PD-së.
Si do të procedohet më tej? Pra, kjo fazë e dytë e dialogut me qytetarët, si do të shërbejë në funksion të programit?
Publiku është i njohur me çfarë po bëjmë në këta dy muajt e fundit. Ngjarje e spikatur që më vjen në ndihmë për të ilustruar këtë fazë të dytë është Konferenca Kombëtare e Arsimit që ne, socialistët, organizuam para dy javësh. Për herë të parë në Shqipëri, u mblodhën përtej sinoreve partiake, 400 mësuese e mësues, për të diskutuar për çështje të arsimit në të gjitha nivelet, për cilësinë e kurrikulave dhe teksteve, për partneritetin publik / privat. Në atë konferencë pati 35 diskutime të ndryshme. Pra, pasi dëgjuam shqiptarët në periudhën shtator 07’ – maj 08’, ne kemi filluar një proces të dytë, në të cilin po u propozojmë shqiptarëve sesi ne mendojmë të zgjidhim problemet e ndryshme që ka vendi prej 18 vjetësh.
Kur do të bëhet programi publik?
Kjo fazë e dytë që shpjeguam në pyetjen e mëparshme mendohet se do të zgjasë deri në fund të shkurtit 2009. Pas këtij momenti do të na duhen pak ditë për të reflektuar reagimet më të fundit të shqiptarëve gjatë Konferencave Kombëtare tematike që do të zhvillojmë në këta katër muaj. Sidoqoftë, janë forumet më të larta të Partisë, ato që do të vendosin për bërjen publike të programit.
Për bashkëpunëtorët
“Në punën për hartimin e programit ne kemi patur dhe vijojmë të kemi mbështetje nga figura të spikatura të së majtës europiane, nga personalitete të shquara qeverisëse të Gjermanisë, Francës, Italisë, Hungarisë, si Michel Rocard-i, Giuliani Amato, Massimo d’Alema, Cristoph Zoepel, etj. Po kështu, janë mbi 20 specialistë të ndryshëm italianë, gjermanë, irlandezë dhe hungarezë”
Për prioritetet
“Qëllimi ynë kryesor është integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Për të arritur këtë ne gjykojmë që armiqtë kryesorë të vendit janë varfëria dhe informaliteti. Me informalitet nuk kemi parasysh vetëm punën e zezë, por të gjithë raportet joformale që shqiptarët kanë me shtetin dhe ligjin. Programi i PS-së do të jetë mjeti që do të mundësojë që shqiptarët të dalin nga varfëria dhe të hyjnë në rrrugën e një zhvillimi e përparimi të qëndrueshëm”.
Për programin
“Programi qeverisës është një program pune i detajuar për çdo ministri, për çdo agjenci qeveritare. Është një program pune i gatshëm për çdo drejtues, që në ditën e parë të punës me fillimin e mandatit të ardhshëm qeverisës. Është një program për të cilin janë përcaktuar saktë edhe mjetet financiare të nevojshme për realizimin e tij. Është një program, i cili në versionin paraprak, deri sot që ne flasim, jep zgjidhje për 107 çështje”